Festivali më i madh i muzikës në Kosovë dhe rajon, Sunny Hill Festival që në edicionin e parë të tij i ka tejkaluar të gjitha pritjet dhe kufijtë rajonal të përfaqësimit. Për Sunny Hill Festival, si festivali më i ri në shtetin më të ri evropian ka bërë bujë të madhe ndërkombëtare. Që në edicionin e parë të tij, Sunny Hill Festival ka marrë ballinat e mediave më të mëdha botërore, duke përfshirë The New York Times, The Guardian, Vogue, MTV, Fader, NME, e shumë media tjera me ndikim tek audiencat globale.

Megjithatë, përfaqësimi që festivali po ia bën vendit tonë nuk është ndaluar vetëm me mbulueshmërinë në mediat ndërkombëtare. Kjo, pasiqë festivali po prezanton Kosovën në shumë ngjarje dhe konferenca të mëdha të muzikës botërore.

Në mars të këtij viti, Sunny Hill Festival u prezentua nga themeluesi i festivalit Dukagjin Lipa së bashku me yllin ndërkombëtar, Dua Lipën në njërën prej konferencave më të mëdha botërore ILMC (International Live Music Conference) në Londër.

Kësaj radhe, Dukagjin Lipa, themeluesi dhe drejtor i “Sunny Hill Festival”, poashtu themelues dhe drejtor ekzekutiv i agjencisë së marketingut Republika Communications, do të jetë i ftuar special në konferencën dhe festivalin e madh të muzikës – Novuelle Prague, në Pragë të Çekisë:

Për më shumë, ky organizim ka për qëllim të krijojë një hapësirë për muzikën e mirëfilltë alternative, pasi që sipas tyre, talenti shpesh nuk vie ne pah nga grupet e interesit në epokën dixhitale dhe të konsumimit të shpejtë.

Pjesa konferenciale e kësaj ngjarje ka për qëllim të sjell njerëz me ndikim në muzikë, për të diskutuar në lidhje me inovacionin në muzikë dhe të shfaq projekte të reja.

“Zotëri Lipa ka aftësi të mira strategjike, teknike dhe kreative, me aftësinë për t’i kombinuar ato dhe të krijojë lidhje në të gjitha nivelet. Dukagjin Lipa është poashtu dhe themeluesi i ‘Sunny Hill Festival’, festivalit më të madh muzikor në historinë e Kosovës që po bënë emër ndërkombëtar me emra si Dua Lipa, Calvin Harris, Action Bronson, Martin Garrix e Miley Cyrus.” thuhet në ueb faqen e Nouvelle Prague.

Novuelle Prague është festival dhe konferencë vjetore që ka për qëllim të sjell mendjet kreative në një vend, për të shfaqur forcën kreative në muzikë dhe njëkohësisht të mbledhin musafirët më me ndikim në muzikën globale.

Kjo ngjarje njihet si një ndër konferencat më të mëdha në Evropë. /KP/