FBK-ja futet "në bela" me Ligën Ballkanike

E gjithë kjo është bërë shkaku i skuadrës së Pejës, pasi BIBL-i po pret nominimin e FBK-së për pjesëmarrjen e Pejës, gjë që FBK-ja nuk po e bën. Ka dhënë dritën jeshile vetëm për Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndonëse publikisht është shprehur se "edhe Peja e meriton BIBL-in".
Krerët e Ligës Ballkanike (BIBL) dhe ata të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kanë ftohur paksa marrëdhëniet mes vete. Në një shkëmbim të letrash më 20 e 21 korrik mes drejtorit të BIBL-it, Shay Shtriks, dhe kreut të FBK-së, Erolld Belegu, vërehet një "ton" goxha i ashpër i komunikimit. E gjithë kjo është bërë shkaku i skuadrës së Pejës, transmeton koha.net.
FBK-ja ka dhënë dritën jeshile për pjesëmarrje në BIBL për Sigal Prishtinën dhe Bashkimin, por jo edhe për Pejën, ndonëse publikisht është shprehur se "Peja e meriton Ligën Ballkanike, edhe pse është përjashtuar nga Superliga".
BIBL-i kërkon nga FBK-ja ta përkrahë Pejën, jo ta shkatërrojë
Shkëmbimi i letrave, të cilat i ka siguruar gazeta, ka ndodhur më 20 e 21 korrik. Fillimisht Shtriks i ka nisur Belegut dy maile, më pas ka marrë përgjigjen nga ky i fundit dhe në fund, Shtriks ka nisur edhe një letër, ku ka shprehur edhe mllefin e tij për situatën e krijuar.



















































