Ëndrra vazhdon (Foto)

Nën një atmosferë fantastike, prishtinasit e nisën furishëm sfidën, mirëpo pas disa gabimeve të njëpasnjëshme, mysafirët e përmbysën epërsinë. Përkundër angazhimit të ekipit kosovar në minutat në vazhdim, bullgarët e përfunduan çerekun e parë me epërsi prej gjashtë pikësh (21:27).
Në çerekun e dytë, fillimi i takoi skuadrës mysafire, e cila e rriti akoma më shumë diferencën deri në dhjetë pikë. Nikoqirët arritën që të afroheshin ndaj kundërshtarit deri në tri pikë, porse disa lëshime në vazhdim bënë që gjysma e parë të mbyllej me pesë pikë diferencë (38:43).
Lojtarët e Prishtinës dështuan që të kalonin në epërsi në minutat e para të çerekut të tretë duke dështuar të shënonin disa herë në tentativat për tri pikë. Përkundër gabimeve të vazhdueshme, ata ia dolën që ta barazonin rezultatin, megjithatë çereku i tretë përfundoi me një pikë epërsi për Rilskin (55:56).
Ngritja e lojës së vendasve vazhdoi edhe në çerekun e fundit kur edhe kaluan në avantazh. Epërsia e tyre falë lojës së shpejtë, arriti deri në nëntë pikë diferencë, porse shumë shpejtë u ngushtua rezultati dhe lufta vazhdoi deri në fund. Gjuajtjet e pakontrolluara i kushtuan Prishtinës që të fitonte me epërsi të ultë (74-72).
Ndeshja e kthimit, me ç’rast edhe do të shpallet kampioni i BIBL, luhet më 29 prill në Samokov.
Kujtojmë që në edicionin e parë pjesëmarrës në Ligën Ballkanike, Sigal Prishtina mbërriti deri në gjysmëfinale, kurse këtë herë po luan në finale dhe shpresojmë që ta rrëmbejë trofeun. /Telegrafi/
























































