Edhe 7 ditë gojëmbyllur

Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re” trajneri Nazmi Rama. “Klubi ka vendosur që mos të japin futbollistët deklarata deri në fund të sezonit, por këtë mund ta bëj vetëm unë si trajner”, ka thënë Rama.
I pyetur se a duhet gazeta të kontaktojë trajner për të marrë një deklaratë rreth synimit që ka futbollisti Mark Milicaj rreth epitetit të golashënuesit më të mirë në Raiffeisen Superligë, Nazmi Rama është përgjigjur: “Jo. Mediet janë të lira të marrin prononcime personale nga futbollistët, por jo edhe për rezultatet e skuadrës dhe gjërat e tjera”.
Më pas trajneri Rama ka treguar edhe arsyen pse klubi vendosi t’ua mbyllë gojën futbollistëve në këto javët e fundit të sezonit vjeshtor. “Nuk kemi pasur rezultate të mira në javët e fundit dhe kryesia e klubit ka vendosur që futbollistët të mos deklarohen për medie, por të koncentrohen më shumë rreth ndeshjeve”, ka shtuar ai.
Skuadra e Istogut aktualisht ka grumbulluar 15 pikë dhe renditet në pozitën e nëntë. Trajneri Nazmi Rama ka thënë se kjo skuadër ka mundur të grumbullojë më shumë pikë. “Të them të drejtën, skuadra ka mundur të marrë më shumë pikë, por duke bërë analizën e gjithë sezonit, mund të jemi të kënaqur. Banka rezervë ka qenë e varfër. Duke ia shtuar kartonët dhe lëndimet e shpeshta, atëherë mund të vlerësojmë se kemi qenë të suksesshëm gjerë më tash”, ka deklaruar ai.
Në fund trajneri Nazmi Rama ka shprehur besimin se me disa përforcime skuadra nga “Demush Mavraj” mund të mbijetojë në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll. /Telegrafi/



















































