Boks: Kosova e gatshme për medalje

Në këtë turne, Kosova do të paraqitet me katër boksierë. Alban Qiriqi (64 kg), Arian Gashi (69 kg), Armend Xhoxhaj (81 kg) dhe Pirro Quni (91 kg) do të përpiqen të arsyetojnë besimin e përzgjedhësit Xhevdet Peci, ndërsa në ekspeditën e Përfaqësueses sonë gjendet edhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli.
“Boksierët janë të përgatitur mirë dhe janë të motivuar për paraqitje të mirë në këtë turne. Kemi punuar një kohë të gjatë për këtë garë, ndërsa boksierët nuk e kanë asnjë presion, prandaj shpresojmë të arrijmë rezultate të mira”, ka thënë përzgjedhësi Xhevdet Peci, i cili më pas ka shtuar: “Jemi përcaktuar për boksierët më të mirë të cilët i ka Kosova në këtë moment dhe besojmë se ata do të arrijnë të futen në zonën e medaljeve. Në të kaluarën kemi arritur rezultate të mira në Sarajve, prej nga boksierët tanë janë kthyer me medalje të arta dhe janë shpallur ndër më të mirët e turneut. Besoj se edhe kësaj radhe do të paraqitemi denjësisht.
Armend Xhoxhaj ka një përvojë më të madhe dhe shpresojmë të kthehet me rezultat të mirë, e pse jo edhe me medalje. Po ashtu dhe Arian Gashi të përsërisë rezultatin e vitit të kaluar ku ishte stolisur me medalje të artë”.
Ndërkaq, gjyqtari dhe njëkohësisht zëdhënësi i FBoxK-së, Latif Demolli, ka shtuar: “Me këtë pjesëmarrje e kemi një tjetër rast t’i tregojmë Evropës dhe Botës se Kosova ka boksierë cilësorë që dinë të luftojnë në ring dhe se dita-ditës sukseset e boksierëve tanë në arenën ndërkombëtare po janë më të mëdha” Demolli po ashtu shpreson që boksierët tanë do të dëshmojnë cilësi dhe vetëm në bazë të saj do të arrijnë edhe deri te medaljet.
Në përgjithësi drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës vlerësojnë boksi ynë është duke ecur në rrugën e duhur, ndërsa çdo sukses eventual në turne të tillë ka rëndësi të madhe. /Tribuna/Telegrafi/



















































