Ditë më parë, trajneri i Istogut, Nazmi Rama, një pjesë të fajit për rezultatet e dobëta të skuadrës ia kishte hedhur mbrojtjes dhe portierëve, Sanel Bandiq dhe Kushtrim Hoxha. Në përgjithësi, Rama repartin defensivë e ka vlerësuar si të dështuar.

Në këtë drejtim, portieri Bandiq e ka ndjerë veten të sulmuar, ndaj ka vendosur të reagojë ndaj deklaratave të trajnerit të tij.


“Unë vetëm desha t’ia rifreskoj memorien trajnerit. Lexova në gazetë se ai po i akuzon lojtarët e mbrojtjes dhe portierët se ata kanë qenë shkaktarë që skuadra i ka humbur disa ndeshje. Nuk është në rregull nga ana e tij, sepse ai duhet ta dijë se mbrojtja së bashku me portierët kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbetjen e tij në Istog, sepse në ndeshjen e tij të parë me ekipin kundër Trepçës, në minutën 94 kam pritur një rast të qind për qindtë dhe në fund kemi fituar”, theksoi Bandiq për SportPlus. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app