LAJMI I FUNDIT:

Australian Open, Serena Williams në finale ndaj Kerber

Australian Open, Serena Williams në finale ndaj Kerber

E pashtershme Serena Williams. Tenistja amerikane shkatërroi polaken Agnieszka Radwanska në gjysmëfinale, me rezultatin 6-0, 6-4 dhe u kualifikua në finalen e Australian Open.

34-vjeçarja kaloi me lehtësi mbresëlënëse kundërshtaren, që për hir të së vërtetës nuk është ndër më të thjeshtat për t’u përballur. Për të mbyllur setin e parë, i mjaftuan vetëm 20 minuta lojë, duke e lënë kundërshtaren me zero pikë.

Polakja 26-vjeçare provoi të qëndronte në ndeshje dhe duke shfrytëzuar të vetmin moment që rivalja humbi përqendrimin, në setin e dytë rikuperoi nga disavantazhi 1-3 në 4-3.


Vetëm një iluzion për Radwanska-n, që nuk arriti të përballonte forcën e numrit një në botë. Rivalja e Serena-s për titullin është gjermania Angelique Kerber, që në gjysmëfinalen tjetër mposhti britaniken Johanna Konta në dy sete, me rezultatin 7-5, 6-2.

Për Williams, që në çimenton e Melbourne numëron gjashtë triumfe në karrierë, bëhet fjalë për finalen e 26-të në Grand Slam.

Deri më tani ka fituar 21 tituj, ndërsa ka humbur vetëm në 4 raste. Një fitore përballë Keber do ti dhuronte suksesin e 22-të të Grand Slam-it, duke barazuar Steffi Graf, në renditjen speciale të të gjitha kohërave dhe do të ishte vetëm dy tituj larg rekordmenes Margaret Smith Court.