A keni pronë të dhënë me qira, apo Airbnb? ATK me njoftim të rëndësishëm për qytetarët


Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
ATK thekson se në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.
Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:
u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;
deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe
paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
ATK rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave.
Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:
regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;
vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon;
ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe
ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.
ATK thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Tutje bëhet e ditur se për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së. /Telegrafi/




































