Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj e ka gjuajtur me vezë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti pasi kërkoi kohë shtesë në seancën e sotme konstituive.

Për këtë situatë, deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se "njeriu çfarë mbjellë, edhe korrë".


"Njeriu çka mbjellë edhe korrë, si i thonë një fjalë e urtë, por në gjendje normale ne sot do ish dashtë të kishim konstituimin e Kuvendit, kryetarin e nënkryetarët, të formohen komisionet dhe të pyetjet edhe zgjedhja e Presidentit. Por ja që nuk e kemi një gjendje normale sepse ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve, që janë shumicë e popullit të Kosovës, falë me besim, edhe për kalkulimet e tyre të pushtetit, edhe bëjnë manovrime dhe zgjatjen e konstituimit të Kuvendit me qëllimet e tyre të përfitimit", tha Lushtaku.

Ai këtë situatë e ka përshkruar si veprim shkak-pasojë, duke uruar që të mos ketë më incidente e revoltime të tilla.

"Dhe sigurisht që edhe këtu veprimet janë shkak-pasojë. Jo që ish dashtë të ndodhë, por ku çdo ditë e më shumë uroj që të mos ketë incidente dhe të mos ketë revoltim, por nuk pritet nga dikush që e ka bërë normalitet shkeljen e Kushtetutës që të sillet edhe ai normalisht", tha ai.

Ky incident ndodhi pasi kreu i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Ai tha se kjo kërkesë vjen pasi që s'ka ende marrëveshje politike.

Më këtë tollovi në kuvend, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë punimet e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. /kp/