Por, që këtë ta bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me siguri se askujt s’do t’i shkonte ndërmend.

Në fakt, dy xhudistët kosovarë, Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi, planifikonin të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror për juniorë, që do të mbahet në Florida prej 22 deri më 26 tetor, e ku do të marrin pjesë mbi 70 shtete të botës.


Mirëpo, ata të shtunën e kanë marrë një përgjigje negative nga Ambasada Amerikane në Shkup, e cila ua refuzoi kërkesën për t’u pajisur me viza. Ky lajm padyshim se e ka mërzitur, por edhe mllefosur trajnerin, Driton Kuka, i cili priste që dy garuesit e tij t’i tregonin vlerat në këtë kompeticion aq të rëndësishëm të xhudos.

“Është një lajm frustues për ne. Kanë intervenuar Federata Botërore e Xhudos. Por edhe Federata e Xhudos e Amerikës, por kompetentët e Ambasadës as që kanë dashur të dëgjojnë për këtë punë. Me siguri, Ambasada amerikane që gjendet në Kosovë do të ishte më e arsyeshme, nëse do të kishte kompetenca për të lëshuar viza”, ka deklaruar Kuka për Zërin.

Ai ndien keqardhje që problemet me viza vazhdojnë t’i izolojnë sportistët kosovarë, të cilët mund të arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare.

“Akili dhe Distria janë sportistë të nivelit të lartë dhe është hendikep i madh që nuk do të mundë të marrin pjesë në Kampionat Botëror shkaku i vizave. Edhe vjet, Akilit i është mohuar e drejta për pjesëmarrje në Botëror për kadetë, i cili ishte mbajtur pikërisht në SHBA”, shtoi Kuka për gazetën.

Kjo nuk është hera e parë që Akili dhe Distria mbeten në shtëpi, shkaku i problemeve me viza. Një gjë e tillë u ndodhi edhe në Kampionatin e fundit Botëror për seniorë, ku kishte triumfuar Majlinda Kelmendi. Kërkesa e dy xhudistëve të lartpërmendur ishte refuzuar nga Ambasada ruse, pasi ky vend nuk e njeh Kosovën si shtet.

E Majlinda me Norën kishin marrë pjesë në evenimentin që ishte mbajtur në Chelyabinsk të Rusisë vetëm falë pasaportave shqiptare, të cilat i posedojnë.

Akilit i ishte mohuar e drejta e pjesëmarrjes në Kampionat Botëror edhe vitin e kaluar, në kategorinë e kadetëve, pasi i ishte refuzuar viza po nga amerikanët. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app