Sulmuesi i Atletico Madrid, Julian Alvarez, është përfolur fuqishëm për një kalim të mundshëm te Barcelona, me mediat e ndryshme spanjolle që pretendojnë se ai është objektivi kryesor i katalanasve për repartin ofensivë.

Pas fitores bindëse 5-1 ndaj Eintracht Frankfurtit, ku argjentinasi shkëlqeu me një gol dhe dy asistime, Alvarez u pyet për këto spekulime.


Megjithatë, përgjigjja e tij ishte e qartë, ku tha se gjithë fokusin e ka për momentin te Atletico Madrid dhe se gjithmonë ka biseda të ngjashme për të ardhmen e tij.

“Jam shumë i qetë. Gjithmonë ka biseda, por e vërteta është se sezoni sapo ka filluar. Fokusi im është të përmirësohem çdo ditë, të fitoj për Atleticon".

"Kjo është e vetmja gjë që kam në mendje... historitë në mediat sociale janë përtej meje”, përfundoi sulmuesi argjentinas.

Pavarësisht interesimit të Barcelonës, Alvarez ka bërë të ditur se nuk po mendon për një largim nga Wanda Metropolitano, të paktën jo në këtë fazë të sezonit. Për momentin, ai duket i vendosur të ndihmojë skuadrën e Diego Simeones të luftojë për trofetë.

Alvarez është cilësuar si një nga sulmuesit më të mirë në Evropë falë teknikës, shpejtësisë dhe aftësisë për të vendosur ndeshje të mëdha.

Në Barcelonë e shohin si pasuesin ideal të Robert Lewandowskit në të ardhmen, por për momentin, argjentinasi është i fokusuar vetëm te Atletico Madrid. /Telegrafi/