ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Analistët politikë Ylli Hoxha, Sadri Ramabaja dhe Imer Mushkolaj kanë komentuar zhvillimet politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke paraqitur qëndrime të ndryshme për procesin e negociatave për formimin e institucioneve të reja.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, analisti Ylli Hoxha tha se, po të ishte pjesë e ekipit negociator të Lëvizjes Vetëvendosje, do të këmbëngulte që bisedimet fillestare të zhvilloheshin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Ardian Gjini.


Sipas tij, suksesi i negociatave varet nga aftësia për të mbajtur të hapura disa opsione bashkëpunimi.

“Nëse nuk arrin ta shtysh LDK-në sepse e ke në opsion PDK-në, ose ta shtysh PDK-në sepse e ke në opsion koalicionin me LDK-në, atëherë realisht je duke negociuar keq”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të ishte në pozitë më të favorshme negociuese nëse do të zhvillonte bisedime me më shumë se një subjekt politik, duke vlerësuar se kushtet e AAK-së nuk janë të vështira për t’u negociuar, pasi, sipas tij, janë të ngjashme me kërkesat e partive të tjera.

Ndërkaq, analisti Sadri Ramabaja tha se liderët e partive parlamentare janë të vetëdijshëm për situatën e ndërlikuar politike, të cilën ai e lidhi me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai vlerësoi se kriza nuk mund të tejkalohet me këmbëngulje në pozicione politike, por përmes një marrëveshjeje të gjerë.

“Të gjithë e kanë kuptuar se nga ky kurth politik duhet të dilet me shkathtësi e jo me kokëfortësi”, tha Ramabaja.

Sipas tij, zgjidhja mund të vijë përmes një koalicioni ose një marrëveshjeje politike që do të mundësonte ndryshimet e nevojshme kushtetuese, përfshirë zgjedhjen e presidentit nga qytetarët.

Ramabaja u shpreh se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje, duke shtuar se pret që partitë të arrijnë një marrëveshje brenda afateve kushtetuese për krijimin e një qeverie stabile.

Duke komentuar zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai deklaroi se presidentja Vjosa Osmani synon rikthimin në krye të kësaj partie.

Nga ana tjetër, analisti Imer Mushkolaj kërkoi që kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, të bëjë publike detajet e takimit që zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas Mushkolajt, qytetarët duhet të informohen për temat e diskutuara dhe arsyet që çuan PDK-në të deklarojë se do të mbetet në opozitë pas këtij takimi.

“Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur dhe pse ky është qëndrimi i Hamzës, cilat janë kërkesat e Albin Kurtit për PDK-në. Gjithçka kaloi shumë shpejt. U mbajt një takim”, deklaroi Mushkolaj./Telegrafi/