LAJMI I FUNDIT:

Gara për Prokurorinë e Posaçme në Shqipëri, ambasadorja amerikane ndjek procesin nga afër

Gara për Prokurorinë e Posaçme në Shqipëri, ambasadorja amerikane ndjek procesin nga afër

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është parë sot në godinën ku po zhvillohen intervistat me tre kandidatët që kërkojnë të marrin drejtimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Dy ditë para zgjedhjes, Kim lëshoi një tjetër mesazh duke theksuar se procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të ndikuar në hetime.


“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favor – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha ambasadorja.

“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, shkruan Yuri Kim.

Më tej, ambasadorja theksoi se reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE por është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar.

“SHBA-ja do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, tha ajo.

Në garë për kreun e SPAK janë tre prokurorë, Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili, të cilët do të pasojnë Arben Krajën në këtë detyrë. /Telegrafi/