LAJMI I FUNDIT:

Këta janë ambasadorët e rinj të Kosovës të emëruar nga MPJD

Këta janë ambasadorët e rinj të Kosovës të emëruar nga MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përfunduar tashmë procedurat e emërimit të ambasadorëve të Kosovës në 12 shtete të ndryshme.

Emërimi i këtyre ambasadorëve u bë pas një periudhe të gjatë, pasi që MPJD kishte shkarkuar ambasadorët e mëparshëm.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla muaj më parë ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.


“Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm. Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të Jashtëm politik. Në ndërkohë është bërë përzgjedhja e ambasadorëve”, kishte deklaruar Gërvalla.

Dymbëdhjetë ambasadoret e shkarkuar ishin: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki),  Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci),  Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut),  Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Amir Ahmeti (Katar).

Të njëjtit këta tashmë janë zëvendësuar me ambasadorët e rinj, të cilët do të mbajnë këtë pozitë për katër vitet e ardhshme.

Emërimin e ambasadorëve të rinj, e ka konfirmuar mbrëmë në T7 ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila bëri të ditur edhe disa nga emrat e ambasadorëve të rinj.

Telegrafi më poshtë u sjell emrat e tetë prej dymbëdhjetë ambasadorëve të rinj:

Skënder Durmishi (Tiranë)

Faruk Ajeti (Gjermani)

Ilir Dugolli (Uashington)

Mehdi Halimi (Francë)

Fuad Morina (Katar)

Ilir Kapiti (Britani të Madhe)

Albesjana Iberhysaj (Çeki)

Agron Bajrami (Bruksel)

/Telegrafi/