LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari për shqiptarin është shqiptar

Shqiptari për shqiptarin është shqiptar
Agron Shala (Foto: Fahredin Spahija)

A e dini çka i ka thënë Skënderbeu, Muratit të II-të, pak para se të kthehej në tokat e babës së tij? A e dini që Skënderbeu i ka rreh shuplaka djemtë e tij, kur ai jetonte në Edrene? Dhe, a e dini çka i ka shkruar Skënderbeu trashëgimtarit të Muratit të II-të, Mehmet Fatihut, kur ky i fundit nuk e kishte asnjë plan se si ta sulmonte Kostandinopojën?

Është shumë me “rëndësi” të dihen përgjigjet, paçka që janë pyetje të shkruara kot! Ato u shtruan sepse jo e vërteta, po debatet dhe komentet e “frytshme” kanë rëndësi, meqë hapin perspektiva edhe për të ardhmen – pas të kaluarës së “lavdishme” e të sotmes të “ndritshme”!? Ato e pasurojnë edhe më shumë “erudicionin masiv” ndër shqiptarë – të pjesëtarëve të popullit më të “lashtë” në univers, që e ka “arritur” nirvanën tokësore e nuk e di çka është problemi!?


Megjithatë, po bëhen p.sh. 20 vjet nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë dhe ende nuk ka asnjë studim të saktë e të paanshëm për atë se çfarë ka ndodhur në vitet 1997-99. Studentët që vjet u regjistruan në Histori, të lindur në liri, nga kush mund ta mësojnë të vërtetën? Çfarë mund të thonë për Serbinë? Për vuajtjet e shqiptarëve? Për dëmet e luftës? Për gabimet e politikës dhe se si humbi shpresa?

Apo, çfarë mësuan e dëgjuan të rinjtë në Shqipëri për tranzicionin e gjatë e të degjeneruar “demokratik”?

Asgjë me rëndësi!

Por, një pjesë e madhe e shqiptarëve, kudo në Ballkan, “dinë” të flasin për Skënderbeun, për ilirët e pellazgët! I njohin armiqtë e lashtësisë, po jo edhe këta të sodit – shqiptarët që sundojnë dhe skllavërojnë shqiptarët; ata që e humbën shpejtë, lehtë e turpshëm momentumin e mbështetjes më të madhe të shënuar në histori në mbrojtje të një populli – të atyre që çliruan Kosovën më 1999!

“Dinë” të flasin për religjionet abrahamike, e i luten dreqit; “dinë” detaje për çdo popull, po jo sa shqiptarë kanë mbetur në Kosovë, në Shqipëri… “Dinë” të deshifrojnë edhe hieroglifët, por nuk e njohin shqipen që është simboli kryesor i identitetit dhe i unitetit shqiptar; “dinë” për krizat ekonomike në botë, por jo për shpresat e tyre të thyera; “dinë” për ezoterinë, por s’e dinë ku humbi turpi; “dinë” për dëmet e gazrave serë, po jo për ndotjen morale që ka kaptuar shqiptarin; “dinë” gjithçka, por jo atë që duhet të dihet e që ka vlerë e rëndësi!

Rasti i fundit me nxënësen e mitur nga Drenasi, që ngacmohet seksualisht nga mësimdhënësi që duhet ta edukojë; që përdhunohet nga polici që duhet ta mbrojë; që neglizhohet nga Prokuroria që duhet ta vë në vend drejtësinë për të; dhe që aborton në rrethana të pasqaruara nga një mjek që si shumëkush nuk mendon për pasojat e shëndetit të pacientit, tregon se Kosova po merr fund e se kjo shoqëri po kapitullon… Këtu s’ka arsim, s’ka siguri, s’ka drejtësi, s’ka shëndetësi! Shtyllat që e mbajnë një shtet, nuk janë! Hiç më mirë puna nuk është në Shqipërinë e kronikave ultra të zeza…

E kush e shkaktoi këtë kaos? Sulltan Murati apo Mehmeti?

Jo, e bëri shqiptari; ai që nuk e njeh veten; që nuk do ta njohë e më së paku të luftojë për të drejtën e të vërtetën! Shqiptari që fatkeqësisht nuk po dallon nga e liga e pushtuesve të huaj.

Meqë nuk ka studim për këtë krahasim, duhet të bazohemi në literaturat e huaja. Carl Gustav Jung thoshte se duke u bërë gruaja anëtar i dukshëm i shoqërisë, ka marrë nuanca të psikologjisë maskuline. Ai madje përmend termin “të bëhesh i zi”, sipas të cilit evropianët nuk mund të jetojnë të padënuar në mesin e zezakëve në Afrikë, sepse pa vetëdije psikologjia e tyre po futet tek ta.

Pra, sipas Jungut, po del që shqiptari në mënyrë subkoshiente u infektua edhe nga psikologjia e armikut, p.sh. e serbit, meqë po e trajton shqiptarin pa dhembje e pa mëshirë. Apo kjo nuk është e vërtetë, sepse ka studim të “shkencëtarëve” vendorë, të Akademive tona krenare andej e këtej kufirit që e demantojnë këtë!?

Epo s’ka dhe për të ligën e shqiptarit ndaj shqiptarit – pos realitetit të sotëm – ka shumë gojëdhëna, fjalë të urta, fakte historike dhe reagime nga njerëzit e mençur, si Faik Konica. Për shembull, në një shkrim të vitit 1902, ai përmendte latinët që thoshin, “Homo homini lupus est”. Kjo në shqip i bie: “Njeriu për njeriun është ujk”. Por, fjala latine “homo” mund të përkthehet edhe burrë, ndaj më vonë, dikur në Mesjetë, kjo fjali zgjerohet te gjinia tjetër: “Femina feminae lupior”, që do të thotë se “gruaja për gruan është edhe më ujk(onjë)”. Në lidhje me këto, Konica ka shkruar: “Albanus Albano lupissimus” apo se “shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut”.

Kur jemi te ujku, nuk duhet harruar kujtimet e At Zef Pllumit. Për të treguar tmerrin e komunizmit të Shqipërisë, pra të shqiptarit, ka folur për një të fshehur në male që lidhi miqësi me ujkun. Në fakt, kjo miqësi e ndihmonte të mbijetonte. Ujku ishte qenia që i besonte më së shumti. Ishte shpresa e tij. Por, kur një ditë dëgjon një krismë dhe ujku nuk kthehet, jeta e tij veç ka marrë fund… ajo krismë u ndje edhe në zemrën e tij!

E pra, rasti i të miturës nga Drenasi dhe i të gjithë viktimave të realitetit morbid në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni… e revidon Konicën. Sepse, shqiptari për shqiptarin nuk është ujk, e as ujk e shkuar ujkut!? Është më keq. Është shqiptar!

Në trend

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit

Liga e Kampionëve
Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Pse Jamal Musiala vendosi të mos përfaqësojë Anglinë në nivel të lartë, duke përzgjedhur më pas Gjermaninë

Përfaqësueset
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori