Aktualisht janë 11 klube aktive në Kosovë, por ideja është që deri në fund të vitit të themelohen edhe gjashtë apo shtatë klube në qytetet ku nuk është zhvilluar ky sport më parë. Faza e parë pritet të kapë Gjakovën e Deçanin, më pas do të përfshihen edhe Istogu, Drenasi e Kaçaniku.

Për dy vite synohet që të jenë 30 klube.
Peja llogaritet fole e xhudos. Nga ky qytet kanë dalë kampionë të botës e Evropës, për të rinj e të vjetër. Deri më tash, ndikimi i xhudos te të rinjtë ishte më shumë lokal.


Por, së shpejti, klube të xhudos pritet të themelohen edhe në qytetet përreth Pejës, si në Gjakovë, Deçan e më vonë edhe në Istog.
Ideja është që të masivizohet ky sport. Federata e Xhudos e Kosovës ka bërë një plan për masivizimin e këtij sporti që pas luftës i ka sjellë Kosovës vazhdimisht medalje ndërkombëtare.

Baza e këtij sporti vlerësohet të jetë klubi "Ippon" në Pejë, pjesë e të cilit është kampionia e dyfishtë e botës dhe e Evropës, Majlinda Kelmendi dhe shumë kampionë të tjerë. Pos Ipponit, janë edhe 10 klube të tjera nëpër Kosovë dhe Federata e Kosovës planifikon që deri në fund të vitit ky numër të rritet në 17 ose 18 klube.

telegrafi sport app