Viti 2014, vit i sportit të Kosovës

I pari i KOK-ut, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se arritja me e madh e sportit tonë në vitin 2014, është pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Sipas tij, më njohjen e KOK-ut në KON, edhe Federata tjera sportive të Kosovës do ta kenë më të lehtë pranimin në federata përkatëse ndërkombëtare.
“Viti 2014 është viti më i suksesshëm për sportin e Kosovës, sepse Komiteti Olimpik i Kosovës u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, kjo do tu mundëson të gjitha federatave sportive të Kosovës të njihen nga Federata përkatëse ndërkombëtare, kështu që në aspektin e integrimeve është një rezultat dhe një sukses i jashtëzakonshëm dhe më të drejtë shumë gazetarë dhe njohës të sportit e kanë konsideruar se njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është arritja më e madh pas pavarësisë së Kosovës, të tjerët e kanë konsideruar të barabartë më pranimin e shtetit të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Hasani.
Ai i ka vlerësuar lartë edhe rezultatet e garuesve tonë në garat kombëtare, e ndërkombëtare. Sipas tij, suksesi më i madh i këtij viti janë rezultatet kulmore të xhudistes sonë, Majlinda Kelmendit. Hasanin e kënaqin edhe rezultate sportistëve tonë në sportet tjera, rezultate që sipas tij, japin mundësi që disa nga sportistët tonë të mendojnë për Lojërat Evropiane ‘Baku 2015’ dhe Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.
“Ky vit po ashtu ka qenë i jashtëzakonshëm edhe me rezultatet brilante të sportistëve të Kosovës, e kur e them këtë kam parasysh rezultatin e Majlinda Kelmendit, e cila pas Londrës, nuk ka pasura asnjë humbje, madje ku do që ka marr pjesë ka dal e para dhe është në formë të shkëlqyer dhe është në rrugë të shpallet xhudistja më e mirë në botë jo vetëm në kategorinë e saj, por edhe në të gjitha kategoritë që do të ishte një nder i veçantë për Kosovën. Fatmirësisht përveç Majlindës ka edhe sportistë të tjerë të cilët kanë arritur rezultate të mira si Nora Gjakova, por edhe në sporte tjera, ku kemi rezultate të mëdha, rekorde të thyera dhe përafrim kemi kaluar standard si në Atletik për pjesëmarrje në Kampionate Evropiane e botërore, kështu që edhe këtë vit që po e lëmë prapa është një vit suksesshëm në sportin tonë”, tha Hasani.
Ai ka folur edhe për Lojërat Evropiane që mbahen për herë të parë në vitin e ardhshëm në Baku. Hasani thotë se ‘Baku 2015’ është një rast i mirë që edhe sportistët tonë të defilojnë në një ngjarje ku marrin pjesë sportistë nga 19 sporte të ndryshme. Sipas Hasanit, disa nga sportistët do të kenë mundësin që nga ‘Baku 2015’, të sigurojnë kualifikimin në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.
“Para Lojërave Olimpike 2016, për herë të parë defilimi ynë do të jetë në ‘Baku 2015’, në Lojërat Evropiane që organizohen për herë të parë, e që për herë të parë Kosova do të marrë pjesë dhe ka kohë të mjaftueshme që sportistët tonë të kualifikohen. Kemi të bëjmë me 19 sporte që do të jenë në Lojërat e para evropiane që organizohen nga Komitetit Olimpik Evropian, dhe kemi shanse të shkëlqyera që ne te marrim pjesë në këto lojëra. Nga këto lojëra sportistët që kualifikohen sa më lartë kualifikohen për në Lojërat Olimpike 2016. Pra, tri vendet e para në mënyrë automatike do të jenë në Lojërat olimpike ‘Rio 2016’”, ka theksuar Hasani.
Ai është i vetëdijshëm se sportistët tonë nuk i kanë kushtet të cilat i kanë sportistët e shteteve tjera për përgatitjet për Olimpiadën e ardhshëm, por ai shpreson se shtetit i Kosovës do të punojmë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që sportistët tonë të jenë të përgatitur sa më mirë për ‘Rio 2016.
Hasani beson se Kosova në ‘Rio 2016’ do të përfaqësohet nga gjashtë deri dhjetë sportistë. /KP/Telegrafi/



















































