LAJMI I FUNDIT:

Viti 2008: Realizimi i ëndrrës për shtet dhe pushteti që rrënon ëndrrat për jetë

Viti 2008: Realizimi i ëndrrës për shtet dhe pushteti që rrënon ëndrrat për jetë
KOSOVO. Prishtina. 17th February 2008 Albanians sign their names on an installation unveiled in Prishtina today that reads 'Newborn'. ©Andrew Testa for the New York Times

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 2008?

Pothuaj tri vjet pasi nisi procesi për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, më 10 nëntor 2005 – kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovoi emërimin e finlandezit Martti Ahtisaarit si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës (zëvendës i tij ishte Albert Rohan) – i erdhi dita shpalljes së pavarësisë. Duket e çuditshme, por negociatat për pavarësi që zhvilloheshin në Vjenë të Austrisë, mes palës kosovare dhe asaj serbe, zgjatën më pak se ato për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi në Bruksel, që nisën më 2011 e që asgjë me rëndësi nuk i sollën Kosovës deri më 2018 (ato do të vazhdojnë edhe më 2019). Në fakt, negociatat e Vjenës zyrtarisht nisën në korrik 2006 me të ashtuquajturin “Takim i elefantëve” dhe përfunduan në mars 2007. Kaq! Dhe, për këtë mision e disa negocime tjera në konfliktet ndërkombëtare, Ahtisaari po më 2008 do të nderohej me Çmimin Nobel për Paqe.

Albert Rohan dhe Martti Ahtisaari

Sidoqoftë, dita erdhi që Kosova të shpallë pavarësinë. Kjo pavarësi kishte një “bisht” mbas – të ashtuquajturën “Pakoja e Ahtisaarit”. Pavarësia ishte e kushtëzuar dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Nga të këqijat që do t’i bëjnë pushtetarët shqiptarë pas Pavarësisë, del se kjo mbikëqyrje ishte “sa për të qenë”. Por, problem i madh nga Pakoja (siç është edhe sot) mbetej decentralizimi asimetrik dhe krijimi i të ashtuquajturave zona të mbrojtura për pakicën serbe (veriu i Mitrovicës parashikohej të bëhej komunë). Pastaj, mohohej e drejta për referendum, ndërsa serbët kishin vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe të drejtën e votës së dyfishtë, pa të cilën nuk mund të bëheshin ndryshimet kushtetuese për proceset e rëndësishme për Kosovën.


Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, pushtetin e mori Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti kishte fituar 34.3 për qind të votave. Qeveria e ardhshme e Kosovës, me kryeministër Thaçin, do të jetë ajo e koalicionit mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që kishte fituar 22.6 për qind të votave (Aleanca Kosova e Re kishte fituar 12.3 për qind, Lidhja Demokratike e Dardanisë 10 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9.6 për qind). Kryeministër do të emërohej Hashim Thaçi nga PDK, ndërsa president Fatmir Sejdiu i LDK-së.

Shpallja e pavarësisë u përcoll me probleme mes akterëve politikë, sa që thuhej se kishte ndërhyrje të ashpra nga Zyrat e huaja Ndërlidhëse, sidomos nga ajo e SHBA-së që udhëhiqej nga Tina Kaidanow. Këto probleme do të dilnin në pah më vonë nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Jakup Krasniqi, që thotë se kishte tendencë të personalizohej momenti i shpalljes së kësaj pavarësie. Ndërsa, Sejdiu i LDK-së do të shprehej se Deklaratën e Pavarësisë është dashur ta lexojë Krasniqi e jo Thaçi

Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu

Pavarësia u shpall më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës, nga Hashim Thaçi pra. Në mbledhje morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deklarata i ka 12 pika. Paragrafi i parë i pikës së parë thoshte: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”. Ndërsa, paragrafi i fundit i pikës së fundit thoshte: “Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”!

Shtetet e para që do ta pranonin pavarësinë e Kosovës ishin Kostarika dhe Afganistani, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. 53 shtete e njohën Kosovën më 2008. Për 10 vjet Kosova nuk ia doli të dyfishojë këtë numër të njohjeve. Fatkeqësisht, më 2018 shumë shtete deklarojnë se kanë tërhequr njohjen.

Pamje nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shkruar nga dizajneri Shyqri Nimani dhe e nënshkruar nga 109 deputetë

Tre vjet para Pavarësisë, më 2005, në Prishtinë digjen flamujt e Presidencës, apo Flamuri i Dardanisë i konceptuar nga Ibrahim Rugova. Shoqatat e dala nga lufta kanë thënë se kjo është bërë pasi ka ndodhur një provokim “me flamuj personalë”. “I vetmi flamur i shqiptarëve duhet të jetë flamuri aktual kombëtar”, kishte thënë atëherë Faik Fazliu, që ishte kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, del në publik flamuri shtetëror verdh-e-kaltër me gjashtë yje, që ishte konceptuar nga Trim Ibrahimi. Aty nuk kishte as një pikë të kuqe e as të zezë. Për këtë, më 2008, në faqet e forumeve të dikurshme në internet, bëhen sondazhet virtuale për dhe kundër këtij flamuri. Shumica nuk e pëlqenin.

Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008, ndërsa hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur edhe u bë “transferimi i plotë” i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Më 11 qershor 2008 miratohet edhe Himni i Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Ky himn, tok me atë të Spanjës, Bosnje dhe Hercegovinës dhe San Marinos, nuk ka tekst.

Pamje nga festimet e 17 shkurtit 2008, pranë monumentit kryesor të Pavarësisë së Kosovës – NEWBORN

Pas shpalljes së Pavarësisë, 27 shtete anëtare të BE-së miratuan vendosjen e një misioni jo-ushtarak për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX (që vepronte sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara), që për detyrë kishte të zhvillojë sektorin e policisë dhe të drejtësisë në Kosovë. Meqë pavarësia ishte e mbikëqyrur, funksiononte edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Mandati i ICO-s përfundoi në shtator 2012, e ai i EULEX-it vazhdon ende.

Duhet theksuar se misioni i EULEX-it ishte shumë i mirëpritur nga banorët e Kosovës. Sipas tyre, Kosova do të ndihmohej nga BE-ja përparimtare, e jo si më parë nga UNMIK-u që kishte edhe misionarë nga shtetet e varfra e diktatoriale. Duket e çuditshme, por me këtë mision paramendohej integrimi i shpejtë në BE dhe zhvillimi i vendit. Fatkeqësisht, zhgënjimi shpejt do të jetë i madh, sepse pas shpalljes së Pavarësisë zhvillimi më i madh kishte të bënte me korrupsionin (madje, që nga dita e parë e Pavarësisë, me rastin e tenderëve për manifestime e për blerje të flamujve). Kjo ka bërë që të shuhen shpresat e kosovarëve për jetë të dinjitetshme. Shumica nga ata qindra-mijëra të deportuar të cilët pas 11 qershor 1999 (pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Kumanovës) u kthyen në Kosovë nëpër fusha të minuara e shtëpi të rrënuara, sot hulumtojnë rrugët për të ikur nga vendi. “Mirupafshim në Kosovën e lirë”, këndohej dikur. “Do të bëhet mirë… në Perëndim”, thonë sot!

Deri në vitin 2015, 1.5 miliard euro janë dhënë për misionin e EULEX-it. Dizajneri Rrezeart Galica, i zhgënjyer nga pasiviteti i këtij misioni, më 2009 e ekspozon posterin “EUSEX”

Më 26 mars 2008, Serbia (që mbante strukturat e saj paralele, sidomos në veri të Kosovës, ku nuk shtrihej – që nga paslufta e deri sot – autoriteti i Prishtinës), deklaroi se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkitazi me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. kërkesa zyrtare për këtë u shtrua më 15 gusht 2008, në OKB, nga ministri i atëhershëm i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq. 77 shtete e miratuan kërkesën e tij; gjashtë vota ishin kundër, ndërsa 74 shtete abstenuan. Më 22 korrik 2010, u shpall opinioni këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas të cilit “deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Nuk duhet harruar se më 17 shkurt 2008, kundër kësaj pavarësia kanë protestuar serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, në Malin e Zi e në Serbi – për disa ditë rresht. Në Beograd protestuesit sulmuan ambasadën sllovene, amerikane dhe kroate… Nga protestat nuk u kursyen as bizneset e huaja e as banorët shqiptarë, kroatët, hungarezë… Dhe, në muajt në vazhdim, Serbia tërhoqi ambasadorët nga shtetet që njihnin Kosovën si shtet të pavarur.

Pamje nga zjarri që kishte kapluar ambasadën amerikane në Beograd, më 17 shkurt 2008

Në fillim të vitit 2008, John Bolton – këshilltari i sotëm për sigurinë kombëtare, i presidentit amerikan Donald Trump – në bashkëpunim me diplomatët Lawrence Eagleburger dhe Peter W. Rodman, u shprehën kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tyre, presidenti George W. Bush nuk duhej të krijonte përplasje me Rusinë përmes Kosovës së pavarur. Por, kërkesa e tyre hasi në vesh të shurdhër. Kosova u bë e pavarur dhe kjo ishte ndër ngjarjet më të mëdha në botë. Këtë e ka thënë më 2008 edhe shefi i diplomacisë gjermane, Frank Walter-Steinmeier.

Kosova, pas 17 shkurtit 2008, për tre vjet rresht do të mbajë një epitet të mirë: shteti më i ri në botë… derisa më 2011 kur shpallet pavarësia e Sudanit Jugor, vit ky kur nisin edhe negociatat e Brukselit, lindin “fusnotat” e “flluskat”, kur rrena në politikën e Kosovës bëhet trend e politikanët shqiptarë “amputohen” nga marrja. Të ligat që u bënë ndaj ëndrrës për liri e pavarësi, nga vetë shqiptarët, do ta shtyjnë grupin Troja që më 2009 ta lansojë këngën “Amaneti i Clownit”, ku ndër të tjera shprehet mllefi – për njerëzit e politikës që ishin dhe fatkeqësisht edhe sot janë me pushtet – me këto fjalë: “Edhe sa vjet duhet me shkue, me i duru k’ta njerz’ që krejt forcën ma kanë marrë… janë këta njerz që vet nuk muj me i nal’”.

“H-Qeverisje” (“H” për hajni) – një poster tjetër i Rrezeart Galicës, i ekspozuar më 2010, që shfaq zhgënjimin nga politika e korruptuar e pa vizion e shtetit të Kosovës

Në Shqipëri, në vitin 2008 president ishte Bamir Topi e kryeministër Sali Berisha. Në këtë shtet, më 15 mars 2008 ndodh Shpërthimi i Gërdecit (i deponive të armëve), ku mbeten 26 të vrarë dhe 300 të lënduar. Për këtë tragjedi jep dorëheqje ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Më 2 prill 2008, në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria merr ftesën për anëtarësim në Aleancën ushtarake Veriatlantike, në NATO, anëtare e plotë e së cilës do të bëhej një vit më vonë.

Më 23 maj, në një aksident komunikacioni mbetet i vdekur Dritan Hoxha, një nga njerëzit më inventiv në botën shqiptare të mediave.

Pamje nga shpërthimet në Gërdec

Bota më 2008 u kaplua nga kriza e dytë më e madhe ekonomike e shekullit XX; një krizë që gjunjëzoi sistemin bankar, që tronditi bursat dhe nxiti ndërhyrje radikale të qeverive në shumë shtete të botës.

Kriza nisi më 2007 në SHBA, me kreditë e tregut të patundshmërive. Huatë ishin të shumta, mundësitë e pakta për t’u larë, çmimi i patundshmërive binte, ndërsa mënyra e konceptimit të kredive ishte e dyshimtë. Kur borxhi nuk shlyhej, bankat nisën të bankrotojnë njëra pas tjetrës. Miliona njerëz humbën kursimet, miliona mbetën në rrugë… Kjo krizë shtyu krijimin e planit amerikan prej 700 miliardë dollarësh për të blerë borxhet e këqija.

Shpejt kriza amerikane e kaloi Atlantikun dhe kaptoi Evropën, për çka plane të njëjta shpëtimi do të ndërmerrnin Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Holanda. Gjendja më e rëndë ishte në Islandë, ku kolaptoi i tërë sistemi bankar. Islanda kërkonte ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e po ashtu Hungaria e Letonia…

Kjo krizë shtroi dilemën se a duhet qeveritë të ofrojnë ndihmën që si barrë do t’ju mbetet gjeneratave të reja. Ndërsa, në Kosovë lind një barsoletë: “Kriza ekonomike sillet nëpër botën, e në fund kthehet në Kosovë dhe thotë: ‘Shtëpi, e ëmbla shtëpi’”!

Pasi bankrotoi banka “Lehman Brothers”, fatin e njëjtë do ta kenë shumë të tjera

Katastrofa të mëdha ndodhin në botë në vitin 2008. Këtë vit do të ashpërsoheshin luftimet në Rripin e Gazës. Nga luftimet u vranë 13 izraelitë e afro 1,500 palestinezë.

Këtë vit nisi lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Pasi separatistët nga Osetia Jugore dhe nga Abkhazia shkelën armëpushimin e vitit 1992, pasoi ndërhyrja e forcave gjeorgjiane në këto rajone pro-ruse. Në ndihmë separatistëve u doli Rusia, që invadoi territorin e Gjeorgjisë. Osetia Jugore dhe Abkhazia shpallën pavarësitë, që do ta pranoheshin veç nga Rusia. Kjo luftë vuri në pah planet ruse për ta rimarrë rolin e dikurshëm të BRSS-së si superfuqia e dytë ushtarake në botë, me sferë ndikimi përtej kufijve shtetërorë. Kjo do të bëhej e ditur disa vite më vonë – pas invadimit në Krime të Ukrainës dhe të dërgimit të trupave ruse në Siri. Prandaj, planet e tilla ekspansioniste shtynë SHBA-në dhe Poloninë që më 2008 të nënshkruajnë marrëveshjen për vendosjen e një pjese të mbrojtjes anti-raketore në territorin polak.

Po këtë vit, BE-ja nisi betejën kundër piratëve somalezë që terrorizonin anijet tregtare dhe të udhëtarëve që kalonin pranë ujërave të këtij shteti afrikan.

Pamje nga luftimet në Gjeorgji

Më 2008, Duma e Rusisë zgjodhi për kryeministër personin që ushtronte detyrën e presidentit të shtetit, Vladimir Putinin. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, fitoi koalicioni i Partisë Demokratike të udhëhequr nga Boris Tadiqi. Shkaku i krizës së qeverisë, kryetari ukrainas, Viktor Juscenko, e shpërndau Kuvendin. Ndërsa, socialdemokratët e Borut Pahorit fituan zgjedhjet në Slloveni.

Në Beograd u arrestua ish-lideri i serbëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte. Ai do të ekstradohej në Tribunalin e Hagës, ku më 2008 do të akuzohej edhe ish-zëdhënësja e këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë, Florence Hartmann, sepse publikoi pjesët e vendimeve të fshehta të Këshillit të Ankesave në lëndën kundër Kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviq.

Në qershor 2008, senatorja demokrate Hillary Clinton (bashkëshortja e Bill Clintonit), u tërhoq nga gara e nominimit të kandidatëve demokratë për garën për president të SHBA-së. Me këtë ajo ia hapi rrugën senatorit Barack Obama, i cili në gusht do të bëhej kandidati zyrtar i Partisë Demokratike. Emërimi i afro-amerikanit Obama dhe fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit 2008, paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në skenën e politikës ndërkombëtare atë vit. Në dhjetor ai bëri publik ekipin për siguri kombëtare, ku ishte Hillary Clinton si sekretare e Shtetit, Robert Gates si ministër i Mbrojtjes dhe gjenerali i pensionuar Jim Jones si këshilltar. Ky ekip ishte lajm i mirë edhe për Kosovën.

Barack Obama, një nga presidentët më të dashur në historinë amerikane

Në vitin 2008 ndodhën dy katastrofa të mëdha. Mianmari u përfshi nga një ciklon shkatërrimtar gjatë të cilit u mbytën 130 mijë njerëz. Ndërsa, një tërmet në Kinë mori 90 mijë jetë.

Në vitin 2008 vdiqë aktorët Heath Ledger, Roy Scheider, Charlton Heston dhe Paul Newman; regjisori Sydney Pollack; muzikantët Jeff Healey, Isaac Hayes dhe Richard Wright; politikani slloven, Janez Drnovsek (kryetar i RSFJ-së në vitet 1989-90); politikani amerikan dhe miku i madh i kauzës së shqiptarëve të Kosovës, Tom Lantos; gjeniu i shahut – heroi amerikan që mundi BRSS-në në shah, por që u shndërrua në armik pasi theu bllokadën amerikane kundër Serbisë, Bobby Fischer; fituesi i Nobelit të Letërsisë që dëshmoi tmerret e komunizmit, Aleksandr Solzhenitsyn; shkrimtari i madh i fantashkencës, Arthur C. Clarke; Edmund Hillary – burri që i pari shkeli majën më të lartë në botë – Everestin… /Telegrafi/

Monumenti në Budapest i mikut të madh të shqiptarëve, kongresistit amerikan me prejardhje hebreje, Tom Lantos. Lantos dhe Bob Dole do të jenë emrat e parë të politikës amerikane që do ta tërheqin vëmendjen e qeverisë amerikane ndaj interesave të shqiptarëve të Kosovës

Në trend Kultura

Më shumë
Udhëtimet e Çelebiut në Shqipëri

Udhëtimet e Çelebiut në Shqipëri

Kulture
Keqardhja e Lasgushit: Kur u kthye nga Parisi, kolegët nuk rrinin me Enverin - e quanin “tutkun”!

Keqardhja e Lasgushit: Kur u kthye nga Parisi, kolegët nuk rrinin me Enverin - e quanin “tutkun”!

Kulture
IKJA E KOLOSIT (poezi të zgjedhura të Dritëro Agollit)

IKJA E KOLOSIT (poezi të zgjedhura të Dritëro Agollit)

Himariotët e dinë prej nga e kanë origjinën

Himariotët e dinë prej nga e kanë origjinën

Kulture
Filozofia dhe artet

Filozofia dhe artet

Stili muzikor i qyteteve te Shqiperisë së mesme dhe të Kosovës

Stili muzikor i qyteteve te Shqiperisë së mesme dhe të Kosovës

Kalo në kategori