‘Të pakënaqurit mund të kërkojnë largimin’

Trajneri i Besës së Pejës, Arbnor Morina, i ka thënë gazetës se futbollistët që nuk janë të kënaqur me klubin pejan, mund të bisedojnë me kryesinë dhe trajnerët dhe nëse kanë ndonjë ofertë serioze, mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për largim. Këto komente vijnë pasi një ditë më parë, trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi kërkoi Egzon Gashin e Besës.
“Unë iu kam thënë futbollistëve se nëse nuk janë të kënaqur ose kanë ndonjë ofertë serioze më të mirë se sa e kanë në Besë, mund të na tregojnë dhe do të ulemi e të bisedojmë së bashku me kryesinë dhe do të gjejmë një gjuhë të përbashkët” , theksoi Morina për Sport Plus.
“Rasti i Egzonit që është shkruar në gazetë se mund të largohet, unë mund të them se ai është pjesë e Besës dhe ka kontratë me ekipin, por nëse nuk dëshiron të qëndrojë dhe mendon që gjen në mirë në ndonjë ekip tjetër, atëherë është mirë të na tregoj dhe do të bisedojmë për gjithçka”, shtoi trajneri i pejanëve.
Pas transferimit të Mark Milicajt nga Istogu, Morina është ndalur paksa dhe është duke shikuar mundësinë edhe të dy transferimeve, një mesfushori dhe një mbrojtësi, por theksoi se nuk do të ngutet. /Telegrafi/






















































