Tabaku, ylli i gjeneratës së pafat

Kosova kishte edhe kampionin Fatos Tabaku që para dy vitesh i dha fund karrierës aktive në xhudo. Mundësitë që i kanë sot xhudistët për të fituar medalje në arenën ndërkombëtare dhe për të përfituar financiarisht nga shteti i Kosovës, i munguan Tabakut. Ai ngul këmbë se rezultatet nuk do t'i mungonin as atij e as shtetit të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kohën kur ishte shpresë e xhudos, pritej shumë nga ai. Flitej për ta, mbase sa është folur për Majlinda Kelmendin.
“Sikur të ishin këto kushte si sot, gjenerata ime nuk do mendonte të merrej me punë tjera për të siguruar bukën e gojës”, thotë Tabaku që tash është bërë trajner i të rinjve në klubin e kampionëve të Kosovës, “Ippon” nga Peja.
Ai dhe xhudistët tjerë për shkak të izolimit të sportit të Kosovës nuk kishin shumë mundësi të merrnin pjesë në gara të mëdha evropiane e botërore. U mungonin edhe kampet e ndryshme përgatitore me xhudistët më të mirë të botës e po ashtu edhe mbështetja nga shteti për rezultatet e arritura.
“Sikur ta kishim mbështetjen dhe mundësinë për ta ushtruar këtë sport, ju garantoj me sinqeritetin më të madh se rezultatet nuk do të mungonin ashtu siç sot nuk po i mungojnë”, ka theksuar Tabaku.
E kur flet për xhudon, Tabaku tregon se atë e ka mbajtur gjallë dhe zhvilluar familja Kuka.
“Të jeni të bindur se nuk do të ekzistonte xhudoja, sepse me paratë e tyre shkonim në gara. Familja Kuka shfrytëzonte edhe miqësitë e saj që të na lejohej të merrnim pjesë në ndonjë garë, sepse ndryshe xhudoja do të ishte në Kosovë sikurse sportet tjera. Do të funksiononte në mënyrë amatore” .



















































