Supertalenti Rashica kthehet në Kosovë

Një gjë të tillë e ka pohuar për ‘Sport Plus’, 18 vjeçari, i cili ka nënshkruar kontratë me ekipin holandez, Vitesse, por nuk mund të luajë deri më 1 korrik. Ndërkaq, kohën e mbetur, ai ka thënë se do ta shfrytëzojë për ta mbajtur formën, duke u angazhuar në ndonjë skuadër kosovare.
“Unë kam nënshkruar kontratë me Vitessen dhe nga 1 korriku do të jem në Holandë për të bashkuar me ekipin. Kam kontratë për dy vite me mundësi të vazhdimit edhe për dy të tjera. Por, këta muaj që më kanë mbetur, jam futbollist i lirë dhe nuk dua të rrijë, andaj do të rikthehem në Kosovë për të luajtur në ndonjë skuadër, në mënyrë që ta mbaj formën”, u shpreh Rashica, i cili në vitin e kaluar u shpallë kampion i Kosovës me Kosovën e Vushtrrisë (ish – Llamkos Kosova).
I hapur për oferta
Milot Rashica ende nuk ka vendosur se për cilën skuadër kosovare do të luajë. Në Kosovë, ai ka luajtur vetëm për Kosovën e Vushtrrisë, por Rashica nënvizoi se në stinorin pranveror ende nuk di se ku do të luajë.
“Unë kam stërvitur dy-tre herë me Kosovën e Vushtrrisë, por ende nuk e di se ku do të luaj në muajt e mbetur para se të shkoj në Holandë. Nuk kam biseduar me asnjë skuadër tjetër, përveç Kosovës së Vushtrrisë që kam stërvitur me ta. Mbetet të shihet se ku do të luaj, ende nuk dihet asgjë”, u shpreh Rashica.
I pyetur se a mund ta shohim në Hajvali, ku është edhe ish-trajneri i tij, Ismet Munishi, ai u shpreh: “Nuk kam biseduar me Ismet Munishin dhe nuk mund të them asgjë njëherë. Të shohim në ditët në vazhdim, ku do të vendosi përfundimisht”, përfundoi Rashica. Ai është edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë për grupmosha të reja. /Telegrafi/





















































