Florian Miftari para fillimit të edicionit 2014/15 mori postin e drejtorit të përgjithshëm te Sigal Prishtina. Ai në klub si zyrtar është prej vitit 2012, fillimisht ishte koordinator dhe pastaj drejtor sportiv i klubit, shkruan sot “Koha Ditore”. Miftari edicionin e shkuar është kujdesur që Sigal Prishtina ta ketë ekipin më të mirë në dispozicion, pasi me çdo kusht dëshironte triumfin në garat ndërkombëtare. Për Sigal Prishtinën ky ishte edicioni i dytë në BIBL, pasi edicionin e parë (2013/14) përfundoi në pozitën e katërt. Në dy edicionet e fundit, Sigal Prishtina ka fituar dy herë rresht edhe titullin e kampionit të Kosovës.

“Kam qenë i gatshëm të ofroj dorëheqjen dhe të jap përgjegjësi nëse klubi nuk do të triumfonte në Ligën Ballkanike. Gjatë tërë edicionit të shkuar vazhdimisht kam përsëritur se synimi i klubit është ta fitojë këtë trofe, dhe ia dolëm”, thotë Miftari në një bisedë për gazetën. Ai shton se merita për këtë sukses kanë të gjithë ata që janë angazhuar në klub dhe nuk kanë kursyer asgjë nga vetja, përfshirë edhe tifozët.


“Unë realizova ëndrrën time. Atë që nuk e bëra si basketbollist i Prishtinës e arrita si zyrtar. Gjithmonë kam ëndërruar të ngre trofe ndërkombëtarë me fanellën e klubit, por fati deshi që këtë ta bëj me kostum e kollare të zyrtarit”.

Miftari për pesë vjet ka luajtur për skuadrën e Prishtinës. Ai për këtë klub luajti prej vitit 2000 deri në vitin 2005, dhe fitoj dy tituj kampioni e tri kupa. Po ashtu, në vitin 2003 u zgjodh edhe basketbollisti më i mirë i vitit në Kosovë, ndërsa vitin e shkuar mori epitetin e punëtorit më të dalluar sportiv nga Komuna e Prishtinës.

“Vitet më të mira të karrierës i kam kaluar te Prishtina. Ky është klubi im i zemrës. Edhe kur u largova nga klubi, e kam ditur se një ditë do të kthehem për ta ndihmuar klubin ku bëra emër”, shprehet Miftari 34-vjeçar. Ai thotë se për të nuk ka pushim as në këto ditë të nxehta të verës, pasi po angazhohet për përforcimet e klubit, që edhe stinorin tjetër të jetë i fortë - bile më i fortë.

Largimi kontrovers nga Prishtina

Në verën e vitit 2005, Miftari u detyrua të largohej nga Prishtina. Gjatë kohës sa luajti te kjo skuadër ishte ndër basketbollistët më të njohur dhe njihej me nofkën “Air Miftari”, për shkak të fluturimeve dhe ngulitjeve atraktive. Ai në vitin 2005 iu bashkua Mabetexit, dhe për këtë largim të tij nga Prishtina u fol shumë. Të Mabetexi qëndroi një edicion, për të vazhduar më pas tek AS Prishtina për një edicion, pastaj te MZT Skopje e Borganes (Islandë), ku qëndroi nga gjashtë muaj, për t'u kthyer në Kosovë në vitin 2008, te skuadra e Pejës.

“Asnjëherë nuk kam dashur të diskutoj për largimin tim nga Prishtina, për të cilin u fol shumë. Por drejtori i atëhershëm sportiv më detyroi që të drejtat e mia t'i kërkoja me gjyq”, thotë Miftari, duke shtuar se e kishte sfiduar për ta bërë një gjë të tillë.

telegrafi sport app