Sokoli: Presim përforcime tjera

Bylbyl Sokoli, kryetrajneri i Prishtinës nuk mërzitet shumë për mediat që e kritikojnë për stinorin vjeshtor dhe nuk e ka shumë qejf të flas për largimet e lojtarëve që përfliten.
"Gazetarët më thërrasin dhe më thonë, ky thotë kështu, ai thotë kështu për mua. Thënë të vërtetën nuk e kam shumë mendjen se çka flasin tjerët, por vetëm për punën time te ekipi i Prishtinës", tha Sokoli në një bisedë të shkurtër për Sporti 1.
Para se të flas për largimet ai ka dëshirë të mendoj për përforcimet, të cilat sigurisht se i mban të fshehta deri në momentin e zyrtarizimit të tyre.
"Para se të flasin të tjerët për largimet, që natyrisht se mund të ketë, unë dua të bëjë të ditur se do të ketë përforcime, sepse kemi nevojë ende për to", tha ai.
Prishtina deri më tani për stinorin pranveror ka siguruar firmat e futbollistëve: Labinot Osmani, Bashkim Shala, Altin Merlaku, Betim Haxhimusa e Ylber Ramadani. Ekipi stinorin vjeshtor e përfundoi në vendin e pestë, por me vetëm 3 pikë më pak se kampioni vjeshtor, Ferronikeli i Drenasit. /Telegrafi/





















































