Sigal Prishtina shkel Rilskin, futet në play-off

Çereku i parë ishte i tmerrshëm për prishtinasit, të cilët u zunë në befasi nga mysafirët të cilët bombarduan me trepikësha dhe arritën që në fund të krijojnë një epërsi prej 13 pikëve, 15-28.
Mirëpo, në çerekun e dytë Sigal Prishtina u rikthye furishëm me ndihmën e amerikanit Julius Coles, i cili me dy trepikësha të njëpasnjëshëm fillimisht e barazoi rezultatin në 34-34, dhe pastaj u shkëputën në rezultat për ta përmbyllur pjesën e parë tetë pikë epërsi, 42-34.
Në çerekun e tretë Bardhekaltërit vazhduan me dominim dhe lojë të organizuar, teksa duhet theksuar shpërthimin e kapitenit legjendar, Edmond Azemit dhe Bojan Trajkovskit, i cili ishte i pandalshëm për kundërshtarët nga çdo pozitë. Prishtina e mbylli këtë periodë me epërsi të lartë prej 17 pikë, 69-52.
Çerekun e fundit Prishtina e zhvilloi vetëm për spektakël sepse fitoren tashmë e kishte sigurt, mirëpo ata arritën ta rrisin epërsinë e tyre edhe më shumë deri në 23pikë, 94-71.
Më i dalluari në këtë ndeshje ishte Jordan Hulls me 24 pikë, i cili u ndihmua gjithashtu edhe nga Julian Mavunga me 17 sosh.
Me këtë fitore, Sigal Prishtina ka siguruar pozitën e parë në Grupin C me 10 pikë, dhe kështu është kualifikuar drejtpërdrejt në play-off.





















































