Shqipëria vetëm me Luiza Gegën në Botërorin e Atletikës

Pjesëmarrja e Luiza Gegës si atletja e vetme nga vendi ynë u konfirmua nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Në faqen zyrtare, IAAF publikoi edhe listën provizore të hyrjes në Kampionatin Botëror për një total prej 1936 atletësh të regjistruar.
Kampionia e pistave zgjodhi të garojë vetëm në 1500 metra, që është edhe disiplina e saj e preferuar. Në këtë distancë, Gega vendosi tre muaj më parë në Doha edhe kohën më të mirë sezonale, me 4 minuta, 2 sekonda e 63 të qindtat, që është edhe rekord Kombëtar.
Gega është mes 41 atleteve nga 22 vende të ndryshme që garojnë në 1500 metra në evenimentin në Pekin. Objektivi kryesor i kampiones kuqezi është të kualifikohet në finalen e kësaj disipline.
Optimizmi vjen pas rezultateve të shkëlqyera të këtij viti. Gega u rendit e para në 1500 metra dhe e dyta në garën e 800 metrave në Lojërat Olimpike Europiane “Baku 2015″.
Në fillim të gushtit, ajo fitoi medalje ari në 1500 metra dhe argjend në garën e 800 metrave në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Rumanië. Cirkuiti i kryeqytetit kinez është i njohur për Luiza Gegën, që më 20 maj u rendit e treta në World Challenge në Pekin, me kohën 4 minuta 4 sekonda e 20 të qindtat, ku la pa vetes atlete me famë ndërkombëtare si marokenia Akaoui, fituese e medaljes së artë në Lojrat Mesdhetare të Mersinit apo holandezen Koster, fituese e bronzit në Europianin e Pragës. /Supersport/






















































