Shabani e Izmaku pranë 89-shit

Afati kalimtar është duke u bërë gjithnjë e më i nxehtë. Të gjitha skuadrat e Superligës i kanë drejtuar sytë nga kampioni aktual, Llamkos Kosova. Pas Prishtinës që ia mori dy futbollistë, Labinot Osmanin dhe Bashkim Shalën, edhe Trepça ‘89 sipas gjitha gjasave do t’ia marrë dy lojtarë.
Bëhet fjalë për dy mbrojtësit, Ilir Izmakun dhe Veton Shabanin. Ky i fundit u shpreh se të enjten (sot) do të ketë një takim me kryesinë e 89-shit për të shikuar mundësinë e arritjes së marrëveshjes.
“Gjatë ditës pritet ta kem një takim me kryesinë e 89-shit për të vendosur për të ardhmen. Gjithçka pritet të vendoset në këtë takim”, tha Shabani për ‘Sport Plus’. Me gjasë, Shabani do të arrijë marrëveshje me 89-shi, skuadër në të cilën është rritur. Mirëpo, nuk është vetëm 89-shi i interesuar për Shabanin, pasi edhe një klub i Superligës është vënë në kërkim të tij. Por, ishte dëshira e futbollistit që mos të bëhet publike pa u definuar bisedimet me 89-shin.
Rrugës së largimit nga Llamkos Kosova është edhe mbrojtësi, Ilir Izmaku. Mbrojtësi vushtrrias me gjasë do të kthehet përsëri në Trepçë ‘89 nga ku u transferua në Vushtrri gjatë verës. “Nesër (sot) e kam një takim me drejtuesit e Trepçës ’89. Ata janë të interesuar që unë të kthehem. Do të shohim se çka do të ndodhë” theksoi Izmaku. Lojtari ka zhvilluar 14 ndeshje me Llamkos Kosovën në stinorin vjeshtor. Trepça ’89 stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e katërt me 25 pikë, aq sa i kanë edhe Llamkos Kosova e Prishtina. /Telegrafi/



















































