Palestra Karagaçi ishte mbushur plot me shikues, si dhe tifozët ‘Shqiponjat’ që dhuruan atmosferë impozante gjatë gjithë takimit.

Pejanët e nisën furishëm çerekun e parë, me Hrvoje Puljkon që bombardonte nga vija për tre pikë, për të krijuar një epërsi solide prej katër pikësh, 16-12.


Në fillim të çerekut të dytë pejanët e humbën paksa ritmin e lojës teksa dolën edhe në disavantazh, mirëpo përsëri u rikthyen në lojë dhe arritën ta mbyllin pjesën e parë me vetëm dy pikë epërsi, 34-32.

Në pjesën e dytë të takimit Peja i ndezi motorët dhe fillimisht krioi një epërsi prej 13 pikësh në fund të çerekut të tretë, 56-43, për të shpërthyer më pastaj në çerekun e fundit.

Në çerekun e fundit Peja e nënshtroi tërësisht Sutjeskën me trepikëshat e pandalshëm të Jan Mocnikut dhe Drilon Hajrizit (në total 12 trepikësha), përderisa Alban Veseli u përkujdes që ta ndezë publikun me ngulitjet e tij të egra. Peja e përmbylli takimin me 19 pikë epërsi, 83-64.

Më i miri në këtë takim ishte Alban Veseli me 18 pikë, 9 vjedhje të topave dhe 8 kërcime, teksa u ndihmua nga Jan Mocnik që shtoi 17, Hajrizi 15, Brkic 12, Shaptahoviq 10 dhe Simovic 10.

Pas kësaj fitoreje, Peja ka rrëmbyer pozitën e parë në Grupin A të Ligës Ballkanike me 10 pikë, e përcjellur nga Rilski me nëntë, dhe kështu e përmbyll vitin 2014 me sukses të jashtëzakonshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app