Ribërja e “Clueless” ndalet në Peacock, por projekti ende kërkon shtëpi të re

Plani për një ribërje televizive të filmit kult të vitit 1995 “Clueless”, me Alicia Silverstone në qendër, nuk do të vazhdojë në platformën Peacock.
Sipas burimeve për Variety, platforma ka vendosur të mos e çojë përpara projektin, pavarësisht se ai ishte në zhvillim prej një viti.
Megjithatë, ribërja nuk është anuluar plotësisht, pasi studio të tjera si CBS Studios dhe Paramount thuhet se janë ende të interesuara, shkruan DailyMail.

Seriali i planifikuar do të fokusohej sërish te personazhi ikonik Cher Horowitz, ndërsa Alicia Silverstone ishte e përfshirë edhe si producente ekzekutive.
Projekti kishte gjithashtu në ekip emra të njohur si Amy Heckerling, Josh Schwartz dhe Stephanie Savage.

Silverstone më herët ishte shprehur entuziaste për rikthimin e rolit të saj, duke e quajtur idenë “argëtuese” dhe duke pranuar se suksesi i filmit vazhdon edhe dekada më vonë.
“Clueless”, i bazuar lirshëm në romanin “Emma” të Jane Austen, u publikua në vitin 1995 dhe u kthye në një nga komeditë më ikonike të viteve të 90-ta, duke e bërë Silverstone një yll të Hollywood-it. /Telegrafi/






























































