Bernardo Silva është ofruar te Real Madridi nga agjenti i tij i njohur, Jorge Mendes, por klubi madrilen ka refuzuar mundësinë për ta transferuar mesfushorin portugez.

Sipas raportimeve të mediumit spanjoll Diario AS, 31-vjeçari pritet të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, kur edhe do të mbetet lojtar i lirë.


Edhe pse “Los Blancos” vlerësojnë cilësinë, përvojën dhe profilin e lartë të Silvës, drejtuesit e klubit nuk e konsiderojnë atë pjesë të projektit afatgjatë të skuadrës.

Mesfushori portugez raportohet se i ka ofruar shërbimet e tij edhe Barcelona, por katalanasit aktualisht kanë prioritete të tjera në afatin kalimtar.

Në garë për lojtarin është përmendur edhe Juventusi, megjithatë një transferim në Torino duket i komplikuar, sidomos pas dështimit të bardhezinjve për të siguruar një vend në katërshen e parë të kampionatit, çka rrezikon pjesëmarrjen e tyre në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Pavarësisht paqartësive rreth së ardhmes së tij në nivel klubesh, Silva mbetet pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Portugalisë dhe është përfshirë në listën e kombëtares për Kupën e Botës e muajit të ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app