Vrasjet me snajper në Sarajevë: Austria nis hetimet ndaj dy të dyshuarve

Në Vjenë, autoritetet kanë nisur hetimet ndaj dy personave, të cilët dyshohet se kanë paguar para gjatë luftës së Bosnjës, 30 vjet më parë, për të shtënë ndaj civilëve në Sarajevën e rrethuar, njofton revista gjermane “Der Spiegel”. Pas Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, tani Austria është bërë vendi i tretë që hap hetime në këtë çështje.
Hetimet kanë filluar që nga 25 prilli kundër një shtetasi austriak dhe një të dyshuari tjetër, deri më tani të paidentifikuar, njoftoi Ministria e Drejtësisë në Vjenë.
Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e të Gjelbërve, Alma Zadiq, kishte dorëzuar një pyetje parlamentare në parlamentin austriak. Pyetja i drejtohej qeverisë austriake.
Sipas raportimeve të medieve austriake, ekzistojnë dyshime të bazuara kundër dy personave të përfshirë. Njëri prej austriakëve dyshohet se gjatë luftës së Bosnjës, në fillim të viteve 1990, kishte udhëtuar drejt Sarajevës për të qëlluar mbi civilët si snajperist gjatë rrethimit të kryeqytetit nga ushtria dhe grupet paramilitare serbe. Këto udhëtime dyshohet se ishin të maskuara si “udhëtime gjuetie në Ballkan”.
“Këto akuza kanë të bëjnë me krimet më të rënda të luftës, të cilat duhet të hulumtohen. Ato duhet të hulumtohen dhe të ndiqen penalisht pa lënë asnjë hapësirë. Nuk duhet të ketë vend për mosndëshkim”, tha Zadiq në një deklaratë për shtyp.
Hulumtimet rreth udhëtimeve të dyshuara të “snajperistëve të fundjavës” midis viteve 1993 dhe 1995 janë shtuar kohët e fundit, veçanërisht pas shfaqjes së filmit dokumentar “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zupaniq në vitin 2022. Të huaj të pasur dyshohet se u kanë paguar shuma të mëdha forcave të atëhershme serbe të Bosnjës për të pasur mundësi të qëllonin mbi civilët për disa ditë në Sarajevë. Ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq, ngriti padi pas transmetimit të këtij filmi dokumentar në Bosnjë.
Prokuroria në Sarajevë po zhvillon hetime për krime të dyshuara lufte.
Në librin e tij të botuar në mars, “Cecchini del Weekend” (Snajperistët e fundjavës), gazetari italian Ezio Gavazzeni citon një francez, i cili pretendon se ka shoqëruar grupe të vogla të këtyre «turistëve të luftës» që paguanin para.
Sipas tij, ata vinin nga Italia, Franca, Belgjika, Zvicra, Austria dhe Rusia. Libri thotë se udhëtimet organizoheshin nga një kompani me seli në Milano. Sipas dëshmisë së francezit, klientët ishin kryesisht të moshës mbi 50 vjeç dhe të pasur.
Së fundmi edhe në Gjermani, deputetja e të Gjelbërve në Bundestag, Irene Mihaliq, i ka drejtuar një pyetje qeverisë gjermane për të mësuar rreth informacioneve të mundshme që mund të ketë Gjermania.
Përgjigjet, të cilat i disponon revista “Der Spiegel” ishin zhgënjyese nga këndvështrimi i të Gjelbërve. Ndër të tjera, Ministria e Brendshme Federale u arsyetua me vështirësinë e madhe që kërkonte ky hulumtim si në autoritetet federale dhe ato të landeve, ashtu edhe në Prokurorinë e Përgjithshme Federale, ku do të duhej të kontrolloheshin me dorë dosjet e viteve të nëntëdhjeta.
Rrethimi katërvjeçar i kryeqytetit boshnjak, Sarajevës, nga serbët e Bosnjës hyn ndër ngjarjet më dramatike të luftës së Bosnjës. Nën bombardimet e vazhdueshme të snajperistëve dhe artilerisë serbe nga kodrat për rreth, në qytetin e izoluar nga bota e jashtme, nga prilli i vitit 1992 deri në nëntor të vitit 1995, u vranë rreth 11’500 burra, gra e fëmijë, si dhe u plagosën më shumë se 50 mijë njerëz. /Telegrafi/














































