Pas largimit të Robert Lewandowskit, një epokë ka marrë fund te Barcelona, ndërsa klubi katalanas ka nisur menjëherë planet për rindërtimin e repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetarit Sique Rodriguez, prioritetet e Barcelonës në afatin kalimtar tashmë janë të qarta: afrimi i një sulmuesi qendror, transferimi i një anësori ofensiv dhe, nëse situata financiare e lejon, përforcimi i repartit defensiv.


Në këtë kuadër, drejtuesit sportivë të klubit kanë refuzuar disa mundësi të rëndësishme në tregun e transferimeve. Një prej tyre ishte edhe Bernardo Silva, i cili iu propozua Barcelonës pas largimit nga Manchester City. Megjithatë, katalanasit konsiderojnë se mesfusha është tashmë e kompletuar dhe burimet financiare do të fokusohen në reparte të tjera.

Në listën e objektivave kryesorë për repartin ofensiv përfshihen emra si Joao Pedro, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez. Gjithashtu, brenda klubit është diskutuar edhe emri i Mikel Oyarzabal.

Megjithatë, realizimi i transferimeve të mëdha mbetet i lidhur ngushtë me gjendjen financiare të klubit dhe respektimin e rregullave “1:1” të fair-play financiar të La Liga.

Barcelona besohet se ka përmirësuar marrëdhëniet me La Ligën dhe është optimiste se gjatë verës do të arrijë të regjistrojë normalisht lojtarët e rinj.

Pavarësisht kësaj, klubi mund të detyrohet të realizojë shitje të tjera përpara se të konkretizojë afrime të mëdha.

Gjithashtu, largimi i Lewandowskit pritet të ulë ndjeshëm presionin mbi fondin e pagave, edhe pse raportimet tregojnë se vetëm dalja e sulmuesit polak nuk mjafton për të zgjidhur plotësisht problemet financiare të klubit katalanas. /Telegrafi/

telegrafi sport app