Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) ka miratuar kërkesën e Drejtorisë për Transformim të Komunës së Prishtinës, duke dhënë pëlqimin për realizimin e punimeve të infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Xhorxh Bush”.

Ish-drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm për vazhdimin e projektit.

“Një superlajm për Kryeqytetin drejt zhvillimit të projektit ‘Xhorxh Bush’. Miratohet kërkesa e parashtruar nga Drejtoria për Transformim – Komuna e Prishtinës për pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore në sheshin ‘Xhorxh Bush’- ka shkruar Kastrati.


Ai ka vlerësuar vendimin e Komisionit të IKMM-së dhe të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), duke thënë se institucionet kanë mbajtur një qasje profesionale ndaj projektit.

“Një vendim i shumëpritur dhe konstruktiv i Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, me ç’rast i përgëzoj për qëndrimin profesional ndaj këtij projekti shumë të rëndësishëm për krijimin e hapësirave publike kualitative në dobi të qytetarëve dhe Kryeqytetit”, ka shtuar ai.

Sipas Kastratit, ditë më parë ka arritur edhe një sasi e konsiderueshme e shtresës finale të granitit, ndërsa së shpejti pritet të nisë implementimi i saj në terren. /Telegrafi/