Aksioni “48” për mbeturinat vëllimore vazhdon, nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk do të ketë më tolerim për ndotjen e hapësirave publike

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka njoftuar se aksioni “48” për largimin e mbeturinave vëllimore do të vazhdojë pa ndalim, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për shkelësit që ndotin hapësirat publike.
“Aksioni ‘48’ për largimin e mbeturinave vëllimore do të vazhdojë pa ndalim. Nga sot, nuk do të ketë më tolerim për askënd që ndot hapësirat publike”, ka shkruar Retkoceri në një postim në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se të enjten është koordinuar me drejtorin e Inspektoratit, Bekim Brestovci, për ndërmarrjen e masave konkrete pas denoncimeve të qytetarëve.
“Sot, bashkë me drejtorin e Inspektoratit, Bekim Brestovci, u koordinuam për masa konkrete pas denoncimeve të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Retkoceri ka falënderuar Brestovcin dhe ekipet për angazhimin në aksionin e përbashkët, si dhe qytetarët që, sipas tij, po tregohen bashkëpunues.
“Falënderoj Bekimin dhe ekipet për angazhimin në këtë aksion të përbashkët. Po ashtu ju jemi mirënjohës edhe qytetarëve të cilët po tregohen bashkëpunues”, ka theksuar Retkoceri.
Në postimin e tij, ai ka paralajmëruar gjoba për secilin shkelës, duke thënë se ka përfunduar periudha e tolerimit.
“Presim gjoba për secilin shkelës. Koha e tolerimit ka përfunduar”, ka shkruar Retkoceri. /Telegrafi/















































