Ndeshjen e kaluar Sigal Prishtina e fitoi me rezultat zyrtar 20:0 për shkak se tifozët vendës e kanë sulmuar bankën rezervë të skuadrës “bardhekaltër”.

“Duam të gjithëve t’u tregojmë se dimë të luajmë basketboll, mbi të gjithat të organizojmë. Na duhet fitorja më shumë se kurrë. Renditemi në vendin e dytë të tabelës dhe kemi shumë gjasa të mëdha të radhitemi në vendin e parë dhe të shkojmë në gjysmëfinale. Na nevojitet përkrahja e ‘Plisave’ dhe adhuruesve të tjerë të basketbollit”, ka thënë Florian Miftari, drejtor i Sigal Prishtinës, transmeton Epoka e RE.


Ndërsa kapiteni i skuadrës, Edmond Azemi, ka thënë se lojtarët janë stabilizuar pas incidentit që ka ndodhur në Nikshiq dhe se janë të gatshëm për ndeshje.

“Pas incidentit në Nikshiq tashmë lojtarët janë stabilizuar. Puna jonë është të luajmë, të tregojmë se Prishtina është ekip i madh, ekip me traditë dhe dimë t’i presim mirë mysafirët. Besoj se tifozët do të na përkrahin. Do ta japim maksimumin dhe do të zbatojmë një lojë që do ta kënaqë publikun”, ka thënë Azemi

Trajneri Marjan Ilievski beson se Sigal Prishtina mund të shkojë shumë larg. Në anën tjetër, përkrahje për basketbollistët kryeqytetas ka premtuar edhe kryetari i ‘Pliasve’, Albert Kastrati. Ndeshja basketbollistike në mes të Sigal Prishtinës dhe Sutjeskës pritet të fillojë në orën 18:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app