eksperti-banner

Saga e transferimit të Julian Alvarez mori një tjetër kthesë dramatike të martën në mbrëmje, kur Real Madridi konfirmoi se Atletico Madridi kishte refuzuar një ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin argjentinas.

Menjëherë pas kësaj, Atletico reagoi ashpër ndaj deklaratës publike të rivalit të qytetit, duke e bërë të qartë se nuk ka ndërmend të negociojë për largimin e yllit të saj.


E gjithë kjo ndodhi ndërsa Barcelona po vëzhgonte situatën nga distanca, me raportimet që sugjerojnë se Alvarez e sheh klubin katalanas si destinacionin e tij të preferuar në rast të një transferimi.

Megjithatë, shanset e Barcelonës dhe Real Madridit për të siguruar shërbimet e sulmuesit duken minimale, pasi presidenti i Atleticos, Enrique Cerezo, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij.

“Julian nuk është në shitje”, deklaroi shkurt Cerezo për El Chiringuito, duke i dhënë fund spekulimeve dhe duke dërguar një mesazh të qartë për dy gjigantët spanjollë.

Atletico nuk u mjaftua vetëm me deklaratat zyrtare. Klubi madrilen reagoi edhe në rrjetet sociale ndaj komunikatës së Real Madridit, duke publikuar emoji me të qeshura përpara se të shpërndante një reagim zyrtar me tone sfiduese.

Klubi rojiblanco po i referohet klauzolës së lirimit të Alvarezit, e cila kap shifrën marramendëse prej 500 milionë eurosh, një shumë e vendosur pikërisht për ta bërë pothuajse të pamundur largimin e tij.

Qëndrimi i Atleticos mbetet i pandryshuar: sulmuesi nuk është në shitje, pavarësisht ofertave që mund të vijnë nga Real Madridi, Barcelona apo çdo klub tjetër.

Nga ana tjetër, Barcelona nuk është në gjendje të përballojë një shifër të tillë. Sipas raportimeve, katalanasit do të ishin të gatshëm të shkonin deri në 120 milionë euro për kartonin e kampionit të botës./Telegrafi/

telegrafi sport app