Sekretari gjeneral i FBoxK-së, Mehmet Bogujevci, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se viti 2014 ka qenë vit mjaft i suksesshëm për boksin e Kosovës, e sipas tij, krahas suksesit të pranimit të FBoxK-së në AIBA, janë arritur edhe rezultatet të mëdha në Kampionatet Evropiane e Botëror.

“Mendoj se Federata e Boksit këtë vit ka pasur shumë angazhime. Përveç pjesëmarrjeve në Kampionate evropiane e botërore, turne të ndryshëm ndërkombëtar, gara vendore më të gjitha grup-moshat, edhe me femra, ne kemi pasur sfidën kryesore për pranim e boksit. Ju e dini se edhe zyrtarisht Federata e Boksit e Kosovës është anëtare e plotfuqishme dhe e barabartë më gjitha federatat tjera botërore dhe tashmë e tutje Federata e Boksit është e koncentruar dhe tani do t’i përpilojmë programet e punës për Lojërat Olimpike 2016”, ka thënë Bogujevci.


Legjenda e boksit tonë, është i bindur se Kosova do të jetë më dy ose tre boksierë në Lojërat Olimpik ‘Rio 2016’. Bogujevci thotë se Armend Xhoxhaj e Liridon Zeqiri do të jenë pjesë të Olimpiadës së ardhshme, por ai shpreson se në ‘Rio 2016’, mund të jetë edhe një boksier tjetër.

“Jam shumë i bindur se dy boksier të Kosovës, eventualisht tre. Ju e dini se Armend Xhoxhaj është në mesin e 16 boksierëve më të mirë të botës në rangliste. Djali është duke punuar shumë, është duke u përgatitur mirë dhe ai është shpresë olimpike e Kosovës. Ai merr burse nga Komitetit Olimpik i Kosovës, por shpresoj se në vitin e ardhshëm do te jetë edhe bursistë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe sipas rezultateve të arritura, ai i plotëson kushtet për të fituar burse te Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, ka theksuar Boguejvci.

Sipas tij, kandidate për Lojëra Olimpik janë Liridon Zeqiri e Armend Xhoxhaj, por ekziston mundësia që këtyre dy boksierëve tu bashkohet edhe një boksieri i yni për në ‘Rio 2016’.

Bogujevci mendon se Kosova ka kushte të mira për përgatitjen e boksierëve për sfida ndërkombëtare. Sipas tij, Prevalla, Gjakova, Peja e Mitrovica ofrojnë kushte të mira për përgatitjet, por sipas Bogujevcit, ajo që u mungon boksierëve tonë është kampi ndërkombëtar që organizohen nga Federata Ndërkombëtare e Boksit.

Bogujevci shpreson se Federata e Boksit të Kosovës do të gjejë rrugën që edhe boksierët tonë të jenë pjesë e ndonjë kampi të tillë, në mënyrë që boksierët tonë të jenë sa më të përgatitur për Lojërat Olimpik ‘Rio 2016’. /KP/Telegrafi/ 

telegrafi sport app