Plisat: Kujdes kë po e largoni

Prishtina këtë afat kalimtar dimëror është treguar shumë aktive, ndërsa ka sjell në kryeqytet gjashtë futbollistë, shumica e tyre me emër në futbollin kosovar. Por, për t’u bërë vend atyre nga klubi priten të largohen disa lojtarë, ndërsa janë përmendur shumë emra, ndër ta edhe ai i kapitenit Driton Krasniqi dhe i portierit Kushtrim Mushica.
Sipas kryetarit të ‘Plisave’, këta dy lojtarë nuk duhet të largohen. “Driton Krasniqin edhe Kushtrim Mushicën nuk guxojnë t’i largojnë. E ata futbollistë që i kanë marrë më herët (Visar Zogiani, Qëndrim Sejdiu dhe Festim Krasniqi) nuk kemi se çka t’u bëjmë tani”, tha fillimisht Albert Kastrati i njohur si ‘Tigri’. Ndërkohë, një tjetër lojtar nga Prishtina që ka lënë gjurmë në këtë ekip është Azem Ahmeti, i cili tashmë është larguar nga skuadra.
‘Ikonat e qytetit duhet ta mbyllin karrierën në Prishtinë’
Sipas Kastratit i njohur si ‘Tigri’, Mushica dhe Krasniqi duhet që ta përfundojnë karrierën në Prishtinë.
“Kushtrim Mushica edhe Driton Krasniqi duhet që ta përfundojnë karrierën në Prishtinë. Kështu që klubi të mendoj mirë para se me marr vendime të gabuara.
Përndryshe, neve na vjen keq edhe për Azemin edhe për këta tjerët, por kështu e kanë lojtarët kur nuk kanë bashkëpunim me neve”, deklaroi ‘Tigri’ për Arenën.
Ndryshe, sipas Kastratit, portieri i Prishtinës (Mushica), i ndjek edhe ndeshjet në basketboll dhe bënë tifo për klubin. “Për çdo gjë ata na kontaktojnë edhe neve. Bile Mushica nuk ka ndeshje të basketbollit që luan Prishtina e që nuk është prezent. Ai në fakt është edhe ‘Plis’”, nënvizoi ‘Tigri’.
Tutje, ai thotë se nuk duhet të kenë takim me trajnerë dhe kryesinë, pasi për këto ikona të kryeqyteti duhet të dinë edhe kryesia edhe trajneri. “Nuk kemi nevojë të kemi takime me trajner apo kryesi. Ne nuk ju përzihemi, por kur është nevoja për ikona të qytetit, duhet me ta dijë edhe trajneri edhe kryesia e klubit se duhet të mendojnë dy herë”, përfundoi Kastrati. /Telegrafi/



















































