Në çerekun e parë Peja tregoi se synim ka vetëm fitoren dhe asgjë tjetër, ndërsa dyshja Veseli-Brkic funksionuan shumë mirë dhe i dhanë epërsinë prej 12 pikësh (13-25) në fund të kësaj periudhe.

Pejanët vazhduan me lojë të mirë dhe të mençur edhe në çerekun e dytë dhe deri në fund të pjesës së parë nuk lejuan që epërsia e tyre të zvogëlohet për më shumë se një pikë, 27-38.


Pas pushimit, verdhezinjtë u rikthyen edhe më furishëm dhe arritën që ta shtojnë epërsinë deri në 21 pikë(30-51), mirëpo teksa fundi i kësaj periudhe po afrohej, i lëshoi koncentrimi dhe e mbyllën çerekun vetëm me 17 pikë epërsi, 45-62.

Kur të gjithë menduan se Peja e kishte siguruar fitoren dhe fituesi i kësaj loje nuk është në diskutim më, mysafirët reaguan me një seri të pabesueshme 16-0, për ta ngushtuar disavantazhin në vetëm një pikë, 61-62, e lojtarët e Pejës i kaploi një panikë e paparë. Sidoqoftë, Jozo Brkic, e mori skuadrën për dore dhe me pikët e tij e përmbylli me fitore këtë ndeshje, ku rezultati përfundimtar tregonte shifrat, 65-72.

Më i miri i këtij takimit padyshim se ishte Jozo Brkic, i cili realizoi 19 pikë dhe 9 kërcime, ndërsa kontribut të madh dha edhe Alban Veseli me 14 pikë.

Me këtë fitore, Peja kualifikohet direkt në gjysmëfinale të play-offit, pasi që ka dalë e para në Grupin C me 10 pikë. Ajo në gjysmëfinale do të presë fituesin e çerekfinales mes Kumanovës dhe Rilskit. /Telegrafi/

telegrafi sport app