Barcelona dëshiron të kopjojë strategjinë e rivalit të përhershëm Real Madrid në këtë afat kalimtar veror, duke përdorur talentet e akademisë për të përmirësuar financat e klubit.

Sipas raportimeve në Spanjë, drejtuesit katalanas kanë vendosur të aplikojnë një model të ngjashëm me atë të Real Madridit, i cili në vitet e fundit ka arritur të gjenerojë të ardhura të mëdha nga shitja e lojtarëve të rinj, duke ruajtur një pjesë të të drejtave të tyre ekonomike.


Real Madridi këtë verë ka arritur të sigurojë të ardhura afër 200 milionë eurove përmes shitjeve të futbollistëve dhe transferimeve të lojtarëve mbi të cilët ende mban 50 për qind të të drejtave. Ky model u ka lejuar madrilenëve të krijojnë një burim të rëndësishëm financiar, pa humbur plotësisht kontrollin mbi talentet që mund të shpërthejnë në të ardhmen.

Barcelona tani synon të ndjekë të njëjtën rrugë me produktet e akademisë së famshme La Masia. Klubi katalanas beson se ka shumë lojtarë me potencial dhe dëshiron të përfitojë ekonomikisht nga largimet e tyre, duke ruajtur një pjesë të vlerës së tyre në të ardhmen.

Sipas raportimeve të “Cadena SER”, Barcelona do të përfshijë një klauzolë të tillë në marrëveshjet e ardhshme me lojtarët e dalë nga akademia, duke mbajtur 50 për qind të të drejtave ekonomike.

Shembulli i parë pritet të jetë mbrojtësi i majtë Jofre Torrents, i cili është afër transferimit te AFC Ajax. Marrëveshja parashikon një huazim me opsion blerjeje prej 5 milionë eurosh.

Nëse Ajax vendos ta aktivizojë këtë opsion, Barcelona do të ruajë 50 për qind të të drejtave të lojtarit, ndërsa gjithashtu do të ketë një klauzolë rikthimi prej 20 milionë eurosh.


Ky model pritet të bëhet standard për lojtarët e rinj që largohen nga La Masia, duke i dhënë Barcelonës mundësinë të sigurojë të ardhura shtesë në të ardhmen ose të rikthejë në klub talentet që mund të shndërrohen në yje. /Telegrafi/

telegrafi sport app