Irani ka mohuar zyrtarisht raportimet se ka rënë dakord për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se nuk do të lejojë rifillimin e lundrimit në këtë rrugë strategjike detare për sa kohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë, sipas Teheranit, “veprimet armiqësore”.

Agjencitë iraniane raportuan se pretendimet për një marrëveshje të arritur me ndërmjetësimin e Katarit janë të pavërteta dhe nuk pasqyrojnë realitetin.


Sipas burimeve nuk ekziston asnjë marrëveshje për rifillimin e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa raportimet e publikuara mbi këtë çështje janë cilësuar si të rreme.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte pranuar të anulonte një sulm të planifikuar ndaj Iranit, pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kishte pranuar një propozim kompromisi të ndërmjetësuar nga Katari për rihapjen e ngushticës.

Një ditë më parë, Trump deklaroi” se kishte vendosur të anulonte sulmin e planifikuar ndaj Iranit në funksion të arritjes së një marrëveshjeje.

Sipas tij, Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar Uashingtonit të përmbahej nga ndërhyrja ushtarake, ndërsa po zhvilloheshin bisedime për një marrëveshje të mundshme.

Trump shtoi se një marrëveshje e tillë duhet të përfshijë rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor që, sipas tij, paraqet Irani. /Telegrafi/