Basketbollisti serb që ka lindur në Sarajevë të Bosnjës dhe ka nisur karrierën si senior te Cërvena Zvezda e Beogradit, kishte nënshkruar me Prishtinën qysh më 12 qershor. Lajmin e kishte bërë të ditur për mediume të ndryshme menaxheri i basketbollistit 30-vjeçar.

Kampionia e Ligës Ballkanike dhe e Kosovës në basketboll kishte vendosur për Neshoviqin për shkak të karrierës së gjatë e të suksesshme, përvojës dhe paraqitjeve të mira në Ligën Ballkanike për Kozhuvin e Maqedonisë.


Por te Prishtina nuk kishin llogaritur mirë një gjë - se a do të pranohej Neshoviq nga tifozët e skuadrës.
Kur lajmi për firmosje të kontratës ishte dhënë, tifozët e Prishtinës, "Plisat" ishin deklaruar se Neshoviq, nëse është serb, nuk do të mund të luajë për skuadrën e kaltër, shkruan sot Koha Ditore.
Për këtë arsye kontrata e Prishtinës me Neshoviqin fillimisht u pezullua e më pas edhe u anulua.

Neshoviq i gjatë 1.89 metra, së fundi ka firmosur me Kozhuvin, skuadrën për të cilën luajti edicionin e kaluar.
Në të vërtetë firmosja e tij me Prishtinën kishte bërë jehonë edhe në Serbi dhe vende tjera të rajonit, pasi ishte basketbollisti i parë serb, ndonëse nga Bosnja, që firmoste me një skuadër kosovare.
 

telegrafi sport app