Namani, i pari i Podujevës

Epiteti i sportistit të vitit në Podujevë i takoi Hamdi Namani nga Klubi i Futbollit “Llapi”.
Në një ceremoni solemne Komuna e Podujevës ka shpallur sportistët më të dalluar të vitit 2014. Juria profesionale e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) e ka shpallur sportist të vitit 2014 futbollistin Hamdi Namani nga Klubi i Futbollit ‘Llapi’.
Në vendin e dytë u rendit atletja Rita Hajdini nga Klubi i Atletikës ‘Llapi’, kurse në vendin e tretë hendbollisti Skelzen Fusha nga Klubi i Hendbollit ‘Llapi’.
Trajneri më i mirë i vitit u shpall Lumbardh Shala nga Klubi i Atletikës ‘Llapi’. Epiteti i klubit më të mirë i takoi Klubit të Atletikës ‘Llapi’.
DKRS me mirënjohje nderoi edhe punëtorin më të mirë sportiv Kadri Idrizi ‘Shoqata e Arsimtarëve Sportiv’, kurse donator i vitit u shpall Nexhat Dumnica nga KF ‘Llapi’.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Kulturë Rini dhe Sport, Agron Gërguri, i uroi të gjithë sportistët e shpërblyer dhe falënderoi për prezencën të gjithë sportistët dhe punëtorët sportivë llapjanë. Ai shprehu zotimin e DKRS dhe të Komunës së Podujevës, për rritje të vazhdueshme të përkrahjes për sportistët llapjan.
Të shpërblyerit dhe punëtorët sportivë në Llap falënderuan Komunën e Podujevës për mbështetjen e vazhdueshme, përkundër mundësive të vogla që ka kjo Komunë. /KP/Telegrafi/



















































