Stadiumi i Kishnicës, ku luan aktualisht Hajvalia, ishte më i urryeri për Ismet Munishin, kur ky i fundit e udhëhiqte Llamkos Kosovën.

“Është stadium shumë i çuditshëm. Disi i frikshëm, ndihesh sikur në mal. Ai ambient është shumë i ftohë dhe nuk më pëlqen aspak”, pati thënë Munishi, në një prononcim për “Zërin”.


Por, tani ky stadium është shtëpi e Ismet Munishit, i cili posa u emërua trajner i ri i Hajvalisë. Por, skuadra e tij e re nuk ia ka larguar ato përshtypje të këqija për këtë stadium. Andaj, Munishi shpreson që Hajvalia sa më shpejt të zhvendoset në ndonjë stadium tjetër.

“Gabimi më i madh i Hajvalisë është që ka luajtur në atë stadium. Stadiumi i Kishnicës nuk i përshtatet dhe nuk i meriton t’i takojë këtij ekipi”, tha për “Zërin” Munishi.

“Posa të kthehen pronarët e klubit, ne do ta mbajmë një mbledhje dhe do të diskutojmë për gjetjen e një stadiumi tjetër. Konsideroj se më së miri për ne do të ishte që ndeshjet si vendas t’i zhvillojmë në stadiumin e Prishtinës ose të Flamurtarit”, theksoi Munishi, i cili njihet për deklarata “ngacmuese”, dhe një të tillë me këtë rast ia lëshoi sërish Prishtinës, shkruan “Zëri”.

“Preferoj të luajmë në Prishtinë, sepse kjo do t’i konvenonte edhe Prishtinës, pasi duke na shikuar neve nga afër, do të merrnin mësim”, tha Munishi duke qeshur, normalisht duke bërë shaka. Por, seriozisht tha se Hajvalia më nuk do të luajë në Kishnicë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app