Munishi e do Prishtinën, Muçiqi thotë ‘jo’

Në një prononcim për Arenën, Munishi thotë se ka gjasa që skuadra e tij t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, në stinorin pranveror.
Gazeta e ka marrë një prononcim edhe nga nënkryetari I klubit, Afrim Muçiqi, i cili ka deklaruar se një gjë e tillë thuajse është e pamundur. “Fusha është shumë e ngarkuar majde edhe grupmoshat e reja nuk luajnë në stadiumin e qytetit pasi mundohemi që ta ruajmë terrenin. Ende nuk kemi marrë ndonjë kërkesë nga Hajvalia por, edhe nëse kjo ndodh, është e pamundur që ata të luajnë këtu për shkak se luan edhe Përfaqësuesja e Kosovës”, deklaroi Muçiqi. Edhe trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli muaj më parë i pati larguar juniorët nga stadiumi vetëm për ta ruajtur fushën.
Ismet Munishi nuk e ka ndërmend që të lëshojë ‘pe’ sa i përket stadiumit. “Bylbyl Sokoli nuk e ka sjell nga Rahoveci stadiumin e as Afrim Muçiqi nga Podujeva. Stadiumi është i qytetit, nuk është pronë e tyre. E kemi si ide që të luajmë aty dhe nuk do të dorëzohemi”, deklaroi Ismet Munishi, i cili ditë më parë i mori në dorë, ‘frenat’ e Hajvalisë. Stadiumi i qytetit tash e disa vite menaxhohet nga klubi i Prishtinës. /Telegrafi/





















































