Ministri Shala takon drejtuesit e xhudos

Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, e uroi ministrin Shala për marrjen e detyrës së re. Ai e informoi ministrin për të arriturat dhe përgatitjet që janë duke bërë në xhudo, për pjesëmarrje në lojërat olimpike evropiane e botërore, dhe presin që edhe në këto ngjarje të rëndësishme të korrin suksese kulmore. Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat përballen xhudistët e xhudistet e Kosovës në garat ndërkombëtare. Ata parashtruan mundësinë e pajisjes së sportistëve me pasaporta diplomatike gjë që do ta lehtësonte përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit në këtë sport.
Ministri Shala i ka përgëzuar FXHK-në, për sukseset e arritura të cilat kanë bërë që Kosova të jetë prezente dhe të na bëjë krenarë në arenën ndërkombëtare në përgjithësi e sidomos në fushën e sportit, duke thënë se kanë mbështetjen e tij të plotë. Ai e ka cekur se do të interesohet në lidhje me pasaportat diplomatike që sportistët të pajisen me to.
Ai ka theksuar se është i hapur për kërkesat dhe idetë që do të vijnë prej Federatës së Xhudos. Ministri i ka informuar se tashmë ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore. Krahas Ligjit për Sportin, i cili tashmë është pjesë e pakos legjislative të qeverisë, ministria do të punojë shumë në licencimin dhe sponsorizimin në sport. Këta hapa, sipas ministrit Shala, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurimin e cilësisë edhe më tej. /Telegrafi/




















































