Ministri Shala përgëzon KOK-un, premton përkrahje

I pari i sportit tonë, e informoi presidentin e KOK-ut se është duke ndërtuar një ekip me të cilin do të punojë gjatë këtyre katër viteve dhe i premtoi atij se ai me ekipin e tij do të kenë një bashkëpunim të frytshëm në raport me KOK-un.
MKRS përmes një njoftimi thotë se ministri Shala e ka vlerësuar punën e deritashme që ka bërë KOK-u dhe i ka përgëzuar për arritjet, që kanë rezultuar me pranimin e KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Ai tha se përkrahja për sportin dhe veçmas për Komitetin Olimpik të Kosovës do të vazhdojë edhe më tej.
Ministri Shala ka kërkuar nga drejtuesit e KOK-ut që ata të ofrojnë ide dhe projekte konkrete për sportin, në mënyrë që të arrihet avancim sa më i madh në këtë fushë.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka uruar ministrin Shala për marrjen e detyrës së re duke i dëshiruar mbarëvajtje në punë dhe arritje të objektivave të synuara.
Kreu i KOK-ut e informoi ministrin Shala për mënyrën se si funksionon KOK-u, për punët dhe angazhimin e madh që e presin këtë institucion vitin e ardhshëm dhe se pret prej ministrit përkrahje dhe bashkëpunim. /KP/Telegrafi/



















































