Azerbajxhani është njëri ndër vendet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj. Andaj, që prej anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ishte e paqartë se si do të veprojë ky shtet, nikoqir i Lojërave Evropiane “Baku 2015”, karshi sportistëve kosovarë me pasaporta të Kosovës, shkruan "Zëri".

Por, dilemat tashmë i ka hequr një njeri i madh i Qeverisë së Azerbajxhanit. Fjala është për ministrin e Sportit, Azad Rahimov, i cili ka konfirmuar se në “Baku 2015” do të garojnë edhe sportistët kosovarë, duke paralajmëruar kështu se autoritetet e vendit të tij do ta mundësojnë hyrjen e kosovarëve me pasaporta të Kosovës.


Dhe, nga kjo del se përfaqësimi i Kosovës në Lojërat Verore “Baku 2015” tashmë është e sigurt. Azad Rahimov nuk sheh ndonjë arsye se përse sportistët kosovarë të mos marrin pjesë në këtë garë, pas pranimit të Kosovës në KON, raporton "Zëri".

“Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në uebfaqen e KON-it gjendet informata se Kosova bëhet automatikisht anëtare e Komitetit Olimpik Evropian. Prandaj, çështja se a do të marrin pjesë sportistët kosovarë në Eurolojëra në Baku, as që diskutohet”, theksoi në një intervistë për uebfaqen “echo.az” i bindur Rahimov, i cili është edhe drejtor ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Lojërave Evropiane 2015 në Baku.

“Siç e thashë më parë, Kosova do të jetë vendi i 50-të që do të marrë pjesë në Olimpiadën Evropiane. Kjo është një mundësi për të gjitha vendet që e duan sportin dhe që janë në gjendje t’i tërheqin qytetarët e tyre dhe të rinjtë, për t’u marrë me sport”, nënvizoi ai.

Problem, kualifikimet

E vetmja gjë që e brengos ministrin e Sportit të Azerbajxhanit janë kualifikimet. Pasi sportistët kosovarë nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në kualifikime për pjesëmarrje në evenimentin që do të mbahet në Baku, për ta duhet të gjendet një zgjidhje, sepse tashmë janë shumë vonë. Por, në rastin e Kosovës, pritet të bëhet një përjashtim.

“Pyetja e vetme që mund të bëhet, lidhet me kualifikimet. Kosova është e akredituar vetëm nga shtatë federata ndërkombëtare dhe në Olimpiadën Evropiane do të marrin pjesë vetëm tri lloje të sporteve të këtyre federatave. Në këto sporte, kualifikimet e sportistëve për Baku kanë marrë fund. Në lidhje me këtë, është e vështirë të thuhet se në çfarë mënyrë mund t’i shohim sportistët kosovarë në Baku”, vijoi ai, shkruan "Zëri".

Së paku gjashtë sportistë kosovarë në Baku

Pavarësisht këtyre vështirësive, Rahimov siguron se zgjidhje për kosovarët do të ketë edhe nëse “thyhen” rregullat, pasi KOK-u u pranua vetëm këtë muaj në KON.

“Megjithatë, dyert e Azerbajxhanit janë të hapura për të gjithë dhe besoj se sportistët kosovarë do ta shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet. Së paku tre meshkuj dhe tri femra të Kosovës do të marrin pjesë në Lojërat Evropiane në Baku”, siguron ministri i Sportit.

Ai megjithatë nuk foli për problemet që lidhen me udhëtimin e qytetarëve të Kosovës për në Azerbajxhan. Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe ai Evropian duket se e kanë gjetur një zgjidhje për këtë punë. Lojërat Evropiane do të fillojmë më 12 dhe do të mbyllen më 28 qershor të vitit 2015. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app