Rregulli i FFK-së që një futbollist nuk mund të ndërrojë ambient pa leje të klubit paraprak ndonëse nuk ka kontratë, e pengon Mark Milicajn që në pranverë të luajë për Besën. Në fakt, lojtari ka nënshkruar me pejanët, por është tashmë ish-klubi i tij, Istogu që nuk e ka ndërmend t’ia japë fletëlëshimin futbollistit.

“Markun e kishim liruar pa problem, por nuk i është përmbajtur marrëveshjes. Për këtë shkak, për të kaluar te Besa, ky klub duhet të paguajë pesë mijë euro”, kishte deklaruar ditë më parë drejtori i Istogut, Fazli Bytyqi.


Në këtë mënyrë, nëse Besa nuk mund të paguajë këtë shumë parash të caktuar si dëmshpërblim nga Istogu, Mark Milicaj në gjashtë muajt e ardhshëm duhet të luajë sërish për ‘troftat’ apo nëse nuk dëshiron ta bëjë këtë, duhet të pushojë. Kjo e dyta po tingëllon më e arsyeshme te sulmuesi.

“Unë kam nënshkruar për Besën dhe klubi i ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj meje. Nëse rregulli thotë se unë nuk mund të kaloj te Besa pa një fletëlëshim dhe njëkohësisht Istogu nuk e lëshon atë, unë kurrë nuk do të kthehem në këtë klub. Arsyet tashmë dihen. Jam ndoshta më meritori që ekipi është në Superligë, ndërsa me të kaluar te Besa, të gjithë më kanë sharë. Nuk besoj se e kam merituar një gjë të tillë duke e ditur se çfarë kontributi kam dhënë për këtë klub”, theksoi Milicaj të hënën për ‘Sport Plus’.

Madje, ai do të preferonte të punojë edhe si kamerier, por kurrsesi të kthehej në gjashtë muajt e ardhshëm te Istogu. “Punoj si kamerier e nuk kthehem te Istogu. Nuk më kanë lënë vend me ofendimet e tyre”, përfundoi Milicaj. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app