Lajmin për rikthimin e Marnikut te skuadra e Flamurtarit e ka bërë të ditur drejtori i këtij klubi, Agim Hasani. “Po, është e vërtetë që Preni ka vendosur që serish të rikthehet lojës aktive. Ai në stinorin pranveror do të bëhet pjesë e ekipit tonë. Sigurisht që me këtë lojtar ekipi në pranverë do të jetë shumë më i kompletuar, pasi dihen cilësitë e tij”, u shpreh Hasani për ‘Sport Plus’.

Kurse, ditëve në vijim ekipit prishtinas pritet t’i bashkohet edhe Emir Rama, i cili është shumë afër arritjes së bashkëpunimit.


“Këto ditë kam pasur dy oferta. Trepça dhe Flamurtari kanë shprehur interesim për mua. Pasi i kam analizuar me kujdes ofertat, gjasat më të mëdha janë që të arrij marrëveshje me Flamurtarin, madje janë vetëm disa detaje të vogla që na ndajnë deri te zyrtarizmi i kësaj marrëveshje”, u shpreh Rama.

Skuadra e Flamurtarit stinorin pranveror do ta nisë nga pozita e tretë me 32 pikë të tubuara. Krahas Llapit dhe Gjilanit, kryeqytetasit llogariten favorit për rikthim në elitë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app