Manchester United po shqyrton një marrëveshje të madhe lojtar + para për të transferuar anësorin e Juventusit, Francisco Conceicao, gjatë kësaj vere.

Sipas raportimeve të Sportmediaset, “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të ofrojnë 30 milionë euro plus sulmuesin holandez Joshua Zirkzee për të siguruar shërbimet e talentit portugez.


Conceicao mund të largohet nga Juventusi vetëm pas dy sezoneve në Torino, ndërsa Manchester United aktualisht shihet si klubi më i vendosur për të siguruar firmën e tij.

Klubi anglez kërkon të përforcojë repartin ofensiv nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick. Anësori portugez iu bashkua Juventusit fillimisht në formë huazimi nga Porto në verën e vitit 2024, përpara se “Zonja e Vjetër” ta blinte përfundimisht për 30 milionë euro.

Paraqitjet e tij të mira e kthyen Conceicaon në një lojtar të rëndësishëm për projektin e Juventusit, fillimisht nën drejtimin e Igor Tudor dhe më pas të Luciano Spallettit.

Forma e tij ka tërhequr interes nga Liga Premier, me Liverpoolin që gjithashtu po monitoron situatën, por Manchester United duket aktualisht më agresiv në garë.

Juventusi e vlerëson portugezin mes 50 dhe 60 milionë eurosh, por kjo shumë mund të ulet ndjeshëm nëse United përfshin një lojtar në marrëveshje.

Sipas raportimeve, oferta e Manchester United do të ishte 30 milionë euro + Joshua Zirkzee.

Sulmuesi holandez nuk konsiderohet më pjesë kyçe e projektit në “Old Trafford” dhe do të mirëpriste një rikthim në futbollin italian.

Ndërkohë, Juventusi po kërkon një sulmues të ri këtë verë, ndërsa Spalletti vlerëson profilin e Zirkzee, duke e bërë një shkëmbim të mundshëm shumë interesant për klubin torinez./Telegrafi/

telegrafi sport app